Avokat Spartak Ngjela ka deklaruar në studion e RTSH24 se politikën e ka kapur frika dhe se kërkon të intimidojë drejtësinë, veçanërisht SPAK-un.
Ngjela vuri në dukje se SPAK-u do të vijojë me arrestime pasi sipas tij, kanë ardhur dosjet e tjera për krerët kryesorë të politikës.
Avokati i konsideroi sulmet e Metës ndaj SPAK-ut si pasojë e frikës së brendshme që ka kapur presidentin e Partisë së Lirisë.
“SPAK-u ka bërë arrestime, do të vijojë. Janë më shumë të korruptuar, numri është më i madh. Tani duket se ka filluar. Do të vijojë dhe do të shohim se sa forcë do të ketë SPAK-u. Është i madh korrupsioni dhe janë në rangjet më të larta. Kemi një ish-kryeministër dhe ish-president si Sali Berisha i akuzuar për korrupsion. Ka drejtorë, ish-minsitra të akuzuar për korrupsion.
Do të vijojë akoma në terren. Janë të shqetësuar, unë i kam paralajmëruar, gjeni avokat të fuqishëm. Do shkoni në gjyq. Provat kanë ardhur nga institucionet e hetimit, të superfuqisë, provat janë të plota, tani kanë ardhur në Shqipëri, tani të shohim se si operohet. Sulmet që i kanë bërë SPAK-ut tregojnë se kanë frikë. Janë trembur dhe kanë krijuar pasiguri të brendshme. Kjo i ka detyruar që i sulmojnë se janë njerëz pa intelekt profesional.
Ç’do të thotë të godasësh, do të ngrihet populli për të rrëzuar pushtetin gjyqësor se iu ka arrestuar juve dhe ju që keni qenë me pantallona teritali deri dje pse nuk i di populli ato. I dinë njerëzit”, u shpreh Ngjela.
Ngjela theksoi më tej se fakti që politika reagon ndaj reformës në drejtësi dhe vetë SPAK-ut tregon se është e korruptuar.
“Ajo është vërtetuar zonjë që nuk ka të paprekshëm sepse nuk e drejtojmë ne këto operacioni. Vetingu ka filluar si pasojë e reformës në drejtësi. Nuk e kemi formuluar ne, e ka formuluar ata që na përkrahin dhe kemi aleancë me ta. Kur një politika ngrihet ndaj një reforme kuptohet që ajo politikë është e korruptuar. Ka frikë. Unë mendoj që tani duken shenjat që reforma antikorrupsion do të vijojë me reforma më të shpejta”, tha Ngjela.