Ish-kryeministri britanik David Cameron, tashmë sekretar shteti për çështjet e jashtme në qeverinë e kryeministrit Rishi Sunak, pritet të vizitojë Tiranën.
Burime diplomatike në Londër dhe Tiranë thanë për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, se kjo vizitë e Lord Cameron parashikohet të zhvillohet në 22 Maj nëse nuk do të ketë ndryshim agjende në varësi të zhvillimeve në Britaninë e Madhe. Në fokus të vizitës nuk është ndonjë çështje specifike, por vijimi i mbështetjes Britanike për vendin tonë.
Njëkohësisht, tregon rikthimin e vëmendjes pas Brexit për Ballkanin Perëndimor nga Britania e Madhe. Disa ditë më parë, kryeministri Rama pati një bisedë telefonike me homologun Rishi Sunak, i vënë nën presion nga opinioni publik dhe të tijtë brenda Partisë Konservatore për kalimet e Lamanshit me gomone të emigrantëve ilegal.
Muhamed Veliu: Disa muaj më parë ju zhvilluat një takim në Romë me kryeministren Meloni dhe kryeministrin Rishi Sunak. Javën e kaluar, 10 Downing Street njoftoi se ju kishit zhvilluar një telefonatë me kryeministrin Rishi Sunak. A ka një dëshirë nga Britania e Madhe për ta përsëritur atë marrëveshje të suksesshme që Shqipëria bëri me Italinë në favor të zgjidhjes së problemit të emigracionit që ata kanë në Britaninë e Madhe?
Kryeministri Edi Rama: Në raport me Shqipërinë?
Muhamed Veliu: Po, në raport me Shqipërinë?
Kryeministri Edi Rama: Ka pasur një shprehje dëshire nga ana e Britanisë së Madhe e jo vetëm, edhe e disa vendeve të tjera lidhur me këtë dhe jo pas por edhe përpara se të ndodhte marrëveshja jonë me Italinë, por përgjigja ime ka qenë e prere “Jo” dhe mbetet e prerë “Jo”. Italia është një histori tjetër dhe është një realitet tjetër në tablonë e marrëdhënieve tona miqësore dhe marrëdhënieve tona ndërkombëtare kështu që i kam shpjeguar të gjitha arsyet pse Italia ha bukë veç.
Në Tiranë, Lord Cameron pritet të vlerësojë, koordinimin me Ministrinë e Punëve të Brendshme në parandalimin e emigracionit ilegal dhe bashkëpunim e SPAK me NCA kundra krimit të organizuar.
Në 2022, mbërritën me gomone 13 mijë shqiptarë, kjo shifër ra me 90% gjatë 2023 ku shkuan vetëm 900 shqiptarë, ndërsa gjatë periudhës Janar-Prill 2024 hynë me gomone vetëm 20 shtetas shqiptarë.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, thotë se “në mënyrë që kjo vizitë të mos mbetet vetëm në kuadrin e falenderimeve dhe vlerësimeve, është një mundësi e mirë për Qeverinë Shqiptare në të këmbëngulurin e shtimin të vizave për punonjës sezonal dhe vizat e punës për shqiptarët. Emigracioni ilegal nuk mund të luftohet vetëm me dëbimet e përjavëshe cdo të enjte me charter Londër- Tiranë. të shqiptarëve pa dokumente në shtetin ishull”.