Tiranë, 3 maj – Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato përuruan sot shkollën 9-vjeçare “Xhezmi Delli”, një tjetër shkollë me mjedise moderne që i shtohet kryeqytetit.
Në fjalën e saj, Ministria Manastirliu theksoi rëndësinë e investimit në arsim në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe zhvillimit të burimeve njerëzore.
Godina e rikonstruktuar me mbështetjen e Bashkimit Europian si pjesë e programit “EU4Schools” dhe zbatuar nga UNDP, është transformuar në një hapësirë bashkëkohore dhe gjithëpërfshirëse me 10 klasa të reja, dy laboratorë të avancuar për IT dhe Kimi/Fizikë, një palestër të rinovuar, një fushë sporti në ambient të hapur, një sallë multifunksionale dhe një sallë infermierie dhe psikologjike, duke siguruar kushte moderne për të gjithë nxënësit, përfshirë ata me nevoja të veçanta.
Ky investim është pjesë e programit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, pushtetit vendor dhe partnerëve ndërkombëtarë për të rikonstruktuar dhe modernizuar 100 shkolla dhe terrene sportive brenda këtij viti.
Infrastruktura arsimore është një nga prioritet e Ministrisë së Arsimit, që synon të rrisë cilësinë e mësimdhënies, duke investuar edhe në burimet njerëzore përmes trajnimeve profesionale për mësuesit dhe të ofrojë mjete mësimore të avancuara për nxënësit.