Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, është shprehur se reforma në drejtësi ka dhënë rezultat, por puna do të jetë e vazhdueshme.
Ai është shprehur në Euronews Albania se lufta ndaj këtij fenomeni nuk është vetëm politike, por i takon dhe shoqërisë shqiptare. Për planet e më tejshme mbi këto reforma ai është shprehur se:
“Ne kemi ndërmarrë një reformë shumë të rëndësishme, siç është ajo e reformës në drejtësi, që momentalisht ka sjellë mjaft produkte, për luftën ndaj korrupsionit, mirëqeverisjes dhe shtetit të së drejtës.
Kjo është një sfidë e përjetshme, por ajo konkludohet në një pikë ku ne zyrtarisht kemi përmbushur standardet europianet kur ne të anëtarësohemi në Bashkimin Europian.
Dhe sfida jonë që ne të anëtarësohemi ne 2030, kërkon që ne të kemi një “jump” tjetër në luftën ndaj korrupsionit dhe mirëqeverisjen”,-u shpreh deputeti.
Ai shtoi se që këto reforma të funksionojnë do të ketë një bashkim të të gjitha institucioneve.
“Rezoluta është vullneti politik. Rezoluta është një dokument i shpalosur i vullnetit tonë politik patjetër që pastaj do kalohet në instrumente parlamentarë dhe do ketë pastaj një komision i cili do të mbledhë gjithë kontributet, gjithë aktorët, gjithë faktorët në mënyrë që ne të kemi një panoramë të qartë të situatës në Shqipëri dhe vendeve ku ne mund të ndërhyjmë dhe të bëjmë ato reforma që kemi për të bërë”,- përfundoi Ndreca.