Pasditen e 1 majit, në vijim të vizitës në rajonin arbëresh të Kalabrisë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një takim me banorët e komunës Firmo.

Presidenti Begaj përcolli mesazhin për ndërveprim mes komuniteteve me kultura të ndryshme dhe në këtë aspekt vlerësoi rolin e arbëreshëve për fuqinë e identitetit, trashëgiminë kulturore, traditën popullore dhe folklorin. Duke iu referuar traditës së përvitshme të “Valljes”, që në këtë fshat ruhet si simbol i fitores së Skënderbeut, Presidenti Begaj theksoi se ajo mbetet gjithnjë frymëzuese. Ai ju drejtua pjesëmarrësve në këtë festë të “Valljes” të promovojnë njohjen e identitetit dhe diversitetin kulturor.

“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të shohim të “vallëzojnë lirshëm” veçanërisht të rinjtë, të cilët duhet të luajnë një rol thelbësor në ruajtjen e kësaj trashëgimie. Të rinjtë janë ambasadorët e ardhshëm të kulturës sonë dhe mbajtësit e flamurit të identitetit arbëresh dhe shqiptar”, u shpreh Presidenti Begaj, i cili tha se duhen përgatitur brezat për të përballuar sfidat e globalizimit, si dhe duke ruajtur unikalitetin e trashëgimisë.

“Kultura dhe tradita arbëreshe, si pjesë shumë e rëndësishme e kulturës shqiptare“, vlerësoi Presidenti Begaj, “janë dëshmi e fuqisë së lirisë për të mbijetuar përmes shekujve, edhe në kushte të vështira dhe ndryshime të mëdha historike”.

Sikurse në takimet e mëparshme me arbëreshët, edhe në Firmo Kreu i Shtetit përcolli mesazhin për ruajtjen e traditave, kulturës e gjuhës, si një mënyrë për të kujtuar origjinën, por dhe për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme.