Nga Ben Andoni

Në kujtimet e Hysen Selmanit, njërit prej adjutantëve të mbretit Zog I që arriti të lerë kujtimet e tij për jetën e monarkut, shkruhet se kur Greqia i ofroi veç infrastrukturës kundër komunistëve dhe kërkesën që pas ardhjes në fuqi të rishesin rivendimet tokësore ndaj Shqipërisë, përgjigja ishte e thatë: Më mirë Enver Hoxha që po mban integritetin e vendit sesa ju të merrni Jugun. Kujtimet gjithnjë fshehin dhe zbukurojnë të vërteta, por fakti është se nga ana tjetër, diktatori komunist e kishte të gjithë mundësinë ta eliminonte dhe nuk e bëri…! Por, kjo s’është tema jonë, veç asaj që realiteti shqiptar e ka rinxjerrë sërish: respektin për vendin. Pak orë më parë, kolegu Spahiu do të shprehej se mllefin dhe sulmin ndaj Ramës për vizitën në Athinë duhet t’i linim në Shqipëri, porse në Greqi duhet të ishim të gjithë (paçka kahut politik) bashkë me të.

Është një realitet që ne e kemi kurdo përballë dhe sesi para të huajve jemi aq skeptikë për vendin ose minimizojmë gjithçka të mirë. Rastet e deputetëve shqiptarë në Bruksel janë afër groteskut. Pak a shumë, këtë i është dashur t’i kujtojë Ali Ahmeti, Kurtit, kryeministrit të Kosovës. Ahmeti, megjithëse do jetë në opozitë me BDI-në, gjithsesi arriti të bënte shumë në këto zgjedhje, duke e çuar partinë e tij të dytën në vlerësimet e përgjithshme. E ndërkohë, me shumë kujdes, ka kujtuar se ShBA-ja se bashku me aleatët e saj në NATO ishin ata që e ndihmuan çlirimin e Kosovës nga Serbia. Ndaj, të jemi të kujdesshëm dhe të bëhemi bashkë.

Me shkurt, para se të shkojmë e të bëjmë tifozllëk për gjëra jashtë vendit, le të shikojmë sinorët tona. Kjo e bën qesharake PD-në sot, që edhe krizën e madhe të ndarjes e përballin me të huajt dhe ia faturojnë vetëm PS-së, duke treguar atë nivel të dobët shtetformimi mes vete, por mbi të gjitha integriteti moral, që duket se nuk po u përmirësohet: Para të huajve duhet të jemi të bashkuar, sidomos jashtë vendit, brenda duhet të konkurrojmë dhe të kundërshtojmë me të gjitha forcat për të gjetur të vërtetën dhe luftën ndaj korrupsionit. Kjo po e mban peng sot Kosovën, kur në momentet më të mëdha, politika e saj është aq e ndarë dhe ku palët kanë humbur ekuilibrin, që lidhet me përcaktimin e vijave të kuqe të interesit kosovar të së ardhmes.

Studiuesit e demokracisë amerikane po i shikojnë hapur dëmtimet që po i bëhen demokracisë së tyre dhe po hulumtojnë shkaqet, ku veç gjuhës së papërshtatshme të politikanëve po analizojnë edhe ndikimet e rrjeteve sociale, ku sot nuk mbahet më asnjë limit. Është një lloj tërbimi politik që nuk njeh fre ngado në botë. “Zemërimi dhe cinizmi politik janë në rritje në Shtetet e Bashkuara dhe në shumë demokraci në mbarë botën dhe, të dyja janë të lidhura me ekspozimin ndaj sulmeve politike në mediat sociale”, tregon një studim i Universitetit të Miçiganit. Shtuar që gjuha e përdorur në to është tejet agresive dhe armiqësore. Autori kryesor i saj Ariel Hasell, asistent profesor i komunikimit dhe medias në Qendrën për Studime Politike hetuan nëse ekspozimi ndaj sulmeve politike në mediat sociale lidhet me cinizmin politik dhe nëse po, nëse vetë emocionet si zemërimi dhe ankthi luajnë një rol në këtë proces.

Gjetja ishte sesa më të ekspozuar të jemi ndaj sulmeve politike, aq edhe më cinikë jemi. Kuptohet që studime kaq të thelluara tek ne nuk mund të ketë, por një fakt është i dukshëm: Urrejtja tashmë nuk ka fre dhe politika e ushqen më së miri, duke e kuptuar se emocionet janë më të prekshme. Ndaj nuk është habi që shikon shumë politikanë që ofendojnë dhe shkruajnë zezona por që përballë dhe off camera kthehen në ‘normalë’. Perceptimi i pangopur se vetëm kështu mund të shkosh e të ngulesh tek njerëzit po na kthen në makina urrejtje. Vizita e Ramës e ngjalli këtë fenomen, por ai është gati nga diskursi ynë parlamentar, apo nga çdo mjedis ku gjenden politikanët. A e kupton vallë publiku? Me sa duket ka ardhur koha që këtë lloj patalogjije ta konfirmojnë studimet. Por, fakti është se politika jonë, të paktën nga aktorët që janë në treg, do mbetet e tillë dhe do i kërkojë këto lloj emocionesh. (Javanews)