Elisa Spiropali, Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, e ftuar në “Zona Zero”, foli për Prokurorinë e Posaçme, duke e quajtur si diçka të re në histori.

“Është një gjë e re në historinë tonë që njerëz me pushtet të paraqiten apo të japin shpjegime në dyert e institucioneve të drejtësisë. Pushteti i drejtësisë, ishte i marrë peng, me gjykatës e prokurë të korruptuar”, tha Spiropali.

Ministrja nuk la pa përmendur as qëndrimin e një pjese të opozitës për të cilët thotë se “në një anë kërkojnë që SPAK të bëjë arrestime dhe në darkë dalin poshtë ballkonit të Berishës, si mund të qëndrojnë këto dy fakte bashkë?”.

“Nuk do gjeni një deklaratë të kryeministrit ose funksionari të PS që të vërë një diskutim një vendim të SPAK, nga ana tjetër ka një shumësi zërash, njëri në maj të paraleleve, tjetri në ballkon që janë në luftë të hapur me drejtësinë. Kemi besim që këto institucione, kanë dhënë shembuj se si mund të luftohet pandëshkueshmëria dhe të jepet drejtësi. Secili duhet të jetë i barabartë para ligjit”, shton ministrja.