Mijëra emigrantë shqiptarë të cilët jetojnë në Greqi kanë mirëpritur kryeministrin shqiptar, Edi Rama në stadiumin “Galatsi”. Pas përfundimit të aktivitetit shumë prej tyre shprehen optimist për këtë takim që siç thanë ata është i pari i këtij lloji. Ndërsa e vlerësojnë këtë organizim si një mbështetje për ta, nga ana tjetër disa prej qytetarëve shqiptarë të pyetur nga Report Tv kanë treguar dhe sesi u kanë ndikuar përplasjet mes Greqisë dhe Shqipërisë për çështjen e Fredi Belerit.
Prononcimet e qytetarëve për Report Tv
Qytetari 1: Shqipëria nuk gjen më si ky…
Qytetarja 2: I pari kryeministër që erdhi këtu në Greqi. Në 30 e ca vite nuk është parë asnjë që të shohë hallet e shqiptarëve çfarë kanë hequr dhe çfarë heqin… unë jam nga Tirana, kam 30 vite në Greqi.
Kryeministër më i mirë se Rama nuk vjen më. Është i paparë në tërë botën jo vetëm në Shqipëri. Jemi krenarë që kemi një kryeministër të mrekullueshëm që zgjidh hallet edhe të shqipërisë edhe të shqiptarëve.
Pyetje: Pse erdhët sot këtu, për të festuar mes shqiptarëve apo për ti adresuar ndonjë kërkesë Ramës?
Qytetari 3: Doja ti thoja Ramës që pavarësisht nga puna e mirë që ka bërë deri më sot duhet ti tregojë mirë edhe njëherë Mitsotakis se forca e shqiptarëve në Greqi është një forcë e madhe edhe për shqiptarët edhe për grekët. Do i thoja Ramës që të vazhdojë të punojë që ti tregojë Mitsotakis që shqiptarët janë shumë herë më të fortë se ç’e mendojnë.
Pyetje: A do ndikojnë përplasjet e fundit me Greqinë te komuniteti shqiptar këtu?
Qytetari 3: Mendoj se e kundërta do të ndodhë. Dita ditës po e kuptojmë se ato fundërrina që po mundohen të prishin miqësinë me ne dita ditës do jenë më të vogël më të pakët më të pafuqishëm. Jetoj në Greqi prej 25 vitesh. Sot është dita më e bukur për mua dhe të gjithë shqiptarët.
Qytetarja 4: Na pëlqeu. E ka bërë Shqipërinë shumë të bukur. Jemi krenarë që jemi shqiptarë dhe që kemi Ramën kryeministër. Përplasja mes Shqipërisë dhe Greqisë ndihet pak, te pjesa e dokumenteve hasim vonesa. Jemi 30 vjet këtu dhe kemi thjesht një copë letër.
Qytetarja 5: Jam e lumtur për Shqipërinë tonë. Kam 33 vjet që kam ikur por vendi im i parë është Shqipëria, i dyti është këtu. Përplasja mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen Beleri ka ndikuar te ne. Kam 33 vjet me karta, tani nuk më kanë dhënë karta. Kam ngelur pa dokumente. I kam futur dhe nuk po i marr dot. Mbase do rregullohet.
Qytetari 6: Sot ishte një ditë shumë emocionale. Pas kaq vjetësh kemi qenë jetim në Shqipëri. Tani na jepet rasti të vijë kryeministri jonë të na përfaqësojë dhe të ndihemi sikur kemi një njeri nga pas. Përplasjet mes dy vendeve për Belerin janë politike nuk ndikojnë te ne. Pjesa e dokumenteve kështu ka qenë gjithmonë, shumë të vështira.
Qytetari 7: U ngrita nga krevati për të parë Ramën, u kënaqa që e pashë, tani u shërova. Beleri vodhi votat. Nesër vjedh dhe bashkinë, tha eksperti. Aty brenda të rrijë. Jam dem babadem shqiptar dhe do mbetem shqiptar.
Report Tv