Nga Aleksandër Çipa

Gjetja në rrethana ende të pazbardhura plotësisht e trupave të një nëne 39 vjeçare dhe tri fëmijëve të saj, në ujërat e Bunës, në Shkodër, përbën lajmin më tronditës për krejt shoqërinë shqiptare këtë javë.

Përqëndrimi i reporterëve të kronikës tek kjo ndodhi ishte i pashmangshëm.
Lëndimi i shumëkujt në shoqërinë tonë dhe pse jo edhe ndërgjegjes publike, është i madh.
Historia, ende e panjohur në versionin autentik të saj, ka ngritur një diskutim shumëopcional për shkakun, rrethanat, përgjegjësinë autoriale dhe arsyet pararendëse të kësaj tragjedie.

Por e përbashkëta në gjykimin publik, lidhet me tragjedinë dhe pafajësinë e fëmijëve që u flijuan prej aktit fatal të nënës. Protagonizmi i së cilës, pamvarësisht nga halli që mund ta ketë shtyrë, i ka ndarë gjykimet, por tek më të arsyeshmit nuk gjen kategorikisht justifikim. Ndër ndodhitë e vetme, që në gjykimin publik nuk mungon edhe dënimi i protagonistes që është flijuar në këtë tragjedi, duke ndërprerë edhe jetët e tri fëmijëve të vet të pafajshëm.
Kërkimi i reporterëve për arsyet reale, për parahistorinë që solli këtë tragjedi, gjithashtu është detyrë profesionale. Në këtë kuadër, pothuajse gjithë rrjeti i tyre në skenën multimediale, qarkulloi në mediat tona dhe në hapësirën online shqiptare, sekuencën e regjistruar nga një kamer, (ndoshta private) kur nëna 39 vjeçare me fëmijët e vet të kapur për dore, ndodhej pranë bregut të lumit Buna, ku, sipas pohimeve të hetuesve zyrtarë, mendohet se ka ndodhur akti flijues për nënën me fëmijët.

Qarkullimi dhe ripublikimi i këtyre sekuencave, pse jo në masë inflacioniste, ka shkaktuar një breshër të fuqishëm kritikash për mediat dhe reporterët që i kanë shumëqarkulluar këto imazhe. Përfaqësues të ndryshëm të audiencave mediatike, sidomos virtualë, kanë lëshuar dhe vijojnë të nxisin anatemime të ashpra për këtë akt publikimi dhe shpërndarjeje.

Kemi të bëjmë me një rast që ka shkaktuar ndjeshmërinë më të madhe publike në hapësirën mediatike dhe atë virtuale, sidomos në rrjetet sociale. Kjo ndjeshmëri e natyrshme, po konvertohet nga kritikë për cënim të Kodit Etik, në një kryqëzatë verbale virtuale, me fyejre, akuza, mallkime dhe sidomos sharrje linçuese.

Kemi të bëjmë me një agresion që merr indicie prej një arsyeje, por kapërcimi i saj deri në paarsye, përbën tjetër krim.
Mediat e kanë për mision të raportojnë, por edhe të zbardhin të vërtetën ose të vërtetat që lidhen me një krim apo ndodhi tragjike familjare. Lënia në harresë dhe moszbulimi i shkaqeve që shkaktojnë kësi tragjedish, mundësojnë ripërsëritjen fatale dhe e shndërrojnë një shoqëri ligjore, në një kategori grupimesh me sjellje dhe funksione primitive e pse jo edhe barbare.

Shumica e mediave respektuan kanonet etike për mosidentifikimin e portretit të fëmijëve dhe të nënës me fat e vepër tragjike. Por në rrjetet sociale kjo normë shpesh shpërfillet. Dhe reagimet e shumë individëve mes publikut virtual, në kësi rastesh, janë të shfrenuara dhe që konvertohen në një sulm etiketimesh dhe frustimesh të egra, shpesh antropofobike ndaj reporterëve dhe mediave. Kjo është e dënueshme. Sikundër është fisnikëri dhe detyrim profesional të kërkosh ndjesë, kur devocioni raportues mund të shkaktojë lëndime dhe keqndikime në shëndetin dhe psiqikën e publikut.

Në faqet zyrtare të rrjeteve sociale të Neës24 dhe Balkanëeb dhe të mediave të setit tonë mediatik, vërrejmë se ky vërshim patologjik verbal ka marrë përmasa dhe shtohet si prej një qëllimi të caktuar grupesh ose individësh, shpesh anonimë virtualë.

Eshtë një agresion atipik që mendojmë se nuk buron prej ndjeshmërisë, por përkundrazi, prej një arsyeje jashtë këtij pretendimi. Të njëjtin agresivitet e konstatojmë edhe në hapësirat e rrjeteve sociale të faqeve zyrtare të mediave tona. Prej këtij konstatimi, na duhet të besojmë se nuk kemi të bëjmë me një reagim prej ndjeshmërisë, por me një sulm virtual anonimësh dhe të fshehurish, shëmbëllanë me tufën e hienave në stepë.
Nuk është e arsyeshme t’a konvertosh një ndjeshmëri të lartë njerëzore dhe aq më tepër kolektive, me një aggresion tribal dhe lincues.
Mediat përcollën imazhet e nënës me tre fëmijët e vegjël, në momentin para tragjedisë, jo për qëllime keqpërdorimi, por për të dëshmuar tronditshmërinë e këtij rasti, për të nxitur hetimin rigoroz të organeve hetimore dhe për të ndikuar mbi institucionalizmin social dhe ligjor shqiptar për një kujdes parandalues ndaj tragjedish të tilla, të cilat tejkalojnë subjektet e tragjedive antike. Qëllimi ynë parësor dhe I vetëm është: Të raportojmë…, edhe tragjedinë, por pa lënduar dhe e bërë dhimbje atë për audiencën, për shkak keqraportimi apo qëllim në vetvete. Ndjesa në kësi rastesh shfaqet në fuqi, për shkak të ndërgjegjes sonë për shëndetin e publikut, të cilin e vlerësojmë shenjtërisht.