Në garë me më shumë se 400 kandidatë për specializim në mjekësi, Aurela Kullolli fitoi vendin e dytë në Shqipëri, duke pranuar nënshkrimin e një kontrate me Ministrinë e Shëndetësisë, për t’u përgjigjur nevojave të shtetit pas diplomimit.
“3 vite do jap kontributin në rrethe, në qendrat spitalore ku do të ketë nevojë për kardiolog”, tha mjekja.
Me një përvojë të larmishme në shëndetësi, si mjeke familje, mjeke në policinë e shtetit apo në urgjencën kombëtare, tashmë në detyrë në urgjencën paraspitalore të QSUT-së, 29 vjeçarja ka vendosur mes mundësive e tundimit për t’u larguar jashtë vendit, të vazhdojë karrierën në Shqipëri.
“Kemi fluksin e studentëve të mjekësisë që shkojnë drejt shteteve europiane, ndër të cilët numrin 1 e mban Gjermania. Unë dhe gjermanishten e kam mbrojtur në nivel B2, si dhe kam dhënë dhe provimet në Amerikë që të gjithë e duam si tokën e mundësive, tokën e ëndrrave.
Kam shkuar edhe aty për praktikë pas provimeve. Amerika është një vend i bukur për të bërë eksperienca, por është ndryshe kur mendon do iki, do iki. Gjithë kohës vrapon për diçka të premtuar dhe në fund e kupton që ‘paskam qenë mirë dhe në vendin tim”, u shpreh ajo.
Arsyeja pse është rikthyer në Shqipëri, mund ta bëjë Aurelën të duket idealiste, por po aq edhe shumë humane dhe profesioniste.
“Në punën që kam me urgjencën e shikoj që shumë të moshuar janë vetëm, pa asnjë familjarë se fëmijët i kanë jashtë shtetit.
Ndaj duhet kontribuar në vendin tonë; dhe nuk e kam problem të shkoj për punë në vende të ndryshme; e kam shembullin nga babai im që ka qenë officer në kohën e komunizmit dhe e kanë cuar në majë të malit të Moravës.
Është popullata shqiptare, njerëzit e tu që mendoj se duhen ndihmuar, pavarësisht se në praktikë vështirësitë janë të ndryshme”, tha Kullolli.
Me dëshirën që të ndjek shpesh në perëndim trajnime, kontributin do ta jap në vendin e vetë, teksa nuk e tremb gatishmëria që duhet të tregojë si kardiologe në të ardhmen, kudo që Shqipëria të ketë nevojë..
“Duke qenë jashtë në një vend si Amerika, kupton që distancat e Shqipërisë nuk janë të mëdhaja. Këtu janë qytetet afër që mund ti bësh për një orë- dy orë me makinë, edhe pse ne na pëlqen që ta kemi punën te dera e shtëpisë”, thotë ajo.