Pagesat e kryera në euro në ekonominë shqiptare kanë pësuar një rritje të fortë në muajt e parë të këtij viti. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë në muajin prill janë kryer 26 mijë e 600 transaksione duke pësuar një rritje me gati 14 % krahasuar me një muaj më parë ku u regjistruan 23 mijë të tilla.
Edhe në vlerë transaksionet në euro janë rritur ndjeshëm duke rezultuar 454 milion euro.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në total trasaksionet në vlerë në periudhën janar-prill kanë prekur nivelin e 1.5 miliardë eurove. Këto të dhëna konfirmojnë edhe faktin e sasisë së lartë të eurove që qarkullojnë në ekonominë shqiptare gjatë këtij viti duke bërë që euro të prekë nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Aktualisht euro është pozicionuar në nivelin e 100 lekëve dhe pritet që ky të jetë një normalitet i ri në kursin e këmbimit në vend.
Kjo mendohet se është ndikuar nga turizmi pasi vendi po shënon shifra shumë të larta të vizitorqëve të huaj. Rritja e numrit të transaksioneve në euro është një tregues pozitiv në formalizmin e ekonomisë.
Në shifra mjaft optimiste ka qenë niveli i transaksioneve në euro edhe gjatë vitit të kaluar. Banka e Shqipërisë raporton se për periudhën janar-dhjetor të vitit 2023, janë kryer përmes këtij sistemi pagesa, që kapin një vlerë prej 4.1 miliardë eurosh.
Prej dy vitesh në sistemin bankar funksionon programi AIPS që bën të mundur realizimin e transfertave kombëtare në Euro mes bankave pa tarifa shtesë nga bankat meme.
Ndërkohë më herët, transfertat kombëtare në Euro bëheshin vetëm nëpërmjet përdorimit të llogarive që bankat shqiptare kanë në bankat mëmë, duke pasur kosto shtesë që varionin nga 200-300 euro për çdo transaksion.
VLERA E TRASAKSIONEVE NE EURO
Janar 349 milionë euro
Shkurt 374 milionë euro
Mars 364 milionë euro
Prill 454 milionë euro
NUMRI I TRASAKSIONEVE NE EURO
Prill 26,612
Mars 23,255