Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, gjatë fjalës së saj në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ka folur për rezolutën anti-korrupsion të propozuar nga PS.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura ajo është shprehur se rezoluta është një thellim i kursit të PS për mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimit të ligji, ndërsa theksoi se nuk do të preken elementë të reformës në drejtësi.
Ministrja u shpreh se nuk ka asnjë përplasje, asnjë marrje kompetencash të komisioneve të përhershme apo të Këshillit të Integrimit, pasi të gjithë kanë rolin e tyre.
Spiropali shtoi se rezoluta është një mundësi e mirë që ndihmon në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, brenda 2030.
Fjala e plotë e Spiropalit
“Faleminderit, zonja Kryetare!
Së pari, dua të theksoj se ky nuk është një ndryshim kursi sa i takon mirëqeverisjes, antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit, në të kundërt, është një thellim i kursit tonë për mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimit të ligjit, duke qenë se kjo forcë politike jo vetëm në këtë rezolutë, por çdoherë dhe kurdoherë e deklaron se reforma në drejtësi, procesi në të cilin kaloi hartimi i planit kombëtar të veprimit për reformën në drejtësi ishte jo vetëm një plan politik yni, por edhe një plan qeverisës dhe më pas u shndërrua në një plan kombëtar përmes Kuvendit të Shqipërisë.
Së dyti, ne nuk synojmë që përmes një rezolute, me shkop magjik, të përcaktojmë vullnetet dhe politikat sa u takon këtyre tri fushave, por, sigurisht, rezoluta është një hap i parë deklarativ, ku përcaktohet hapësira gjithëpërfshirëse që ka Kuvendi. Ne do të donim që të kishim në këtë rezolutë jo vetëm diskutimet e opozitës, që besoj se do t’i kemi, sepse ju në të gjitha seancat i prekni këto çështje, por në fund edhe njëlloj dakordësie sa u takon parimeve, sepse aty nuk shprehet asgjë tjetër përveç parimeve, për të cilat besoj se biem të gjithë dakord, ku përfshihet edhe çështja që ju e ngritët me shqetësim, për pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi.
Shprehimisht, në rezolutë ne flasim për këtë pakthyeshmëri dhe mosprekjen e shtyllave apo të elementeve të reformës në drejtësi, siç kemi rënë dakord dhe siç kemi votuar në vitin 2016.
Këtë hapësirë gjithëpërfshirëse, që Kuvendit ia mundëson Kushtetuta dhe ligji, ne mund ta përdorim për të manifestuar vullnetin tonë politik, por edhe institucional në konceptimin e politikave më të mira dhe hartimin e një plani kombëtar veprimi në këto tri fusha, që është edhe synimi, në fakt, i ngritjes së komisionit të posaçëm për mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit në Kuvend. Këtu nuk ka asnjë përplasje, asnjë marrje kompetencash të komisioneve të përhershme apo të Këshillit të Integrimit, të gjithë kanë rolin e tyre. Kuvendi, në të gjithë këtë hapësirë të gjerë që ka, mundëson edhe ngritjen e komisioneve të posaçme për çështje të caktuara. Këto tri fusha janë prioritet i qeverisë, prioritet kombëtar dhe jo vetëm yni, sepse kanë dalë nga Procesi i Shqyrtimit Analitik të legjislacionit me BE-në, pra procesit screening.
Ne sot kemi një diagnozë, kemi një radiografi të të gjithë trupit, jo vetëm të ligjeve, por edhe të funksionimit të institucioneve tona, që ka dalë nga ky proces screening negociatash, dhe e kemi shumë të qartë se ku duhet të jemi, jo vetëm institucionet e qeverisë, pra që varen nga ekzekutivi, por të gjitha institucionet.
Nuk integrohet as Partia Socialiste e Shqipërisë, as qeveria e Republikës së Shqipërisë në BE, integrohet Shqipëria në BE dhe ku tjetër, përveç Kuvendit, ne mund ta garantojmë këtë hapësirë, ku të shfaqim bashkëpërgjegjësinë tonë në këtë proces, ku të afrojmë edhe ekspertët më të mirë, vendas dhe të huaj, që të jenë partnerët tanë, BE-ja dhe SHBA-të, pjesë e këtij procesi, siç shkruhet e zeza në të bardhë në këtë rezolutë, dhe siç është vullneti ynë për t’i përfshirë në komisionin e posaçëm.
Unë besoj se është një mundësi e mirë për të gjithë deputetët, edhe për ju personalisht, por nuk e kam vetëm për ju, por për të gjithë deputetët që ndër vite kanë punuar dhe janë marrë me procesin e integrimit, apo siç drejtoni edhe Komisionin për Çështjet Europiane në Kuvend, që të jeni pjesë e hartimit të këtij plani kombëtar, me masa institucionale, administrative apo edhe ligjore, të cilat adresojnë tashmë problematika konkrete, që kanë dalë nga procesi i shqyrtimit analitik, si dhe udhërrëfyesit që ne kemi hartuar për shtetin e së drejtës dhe reformën në administratën publike, për të përmendur dy.
Kjo është një mundësi, besoj se është një instrument që Kuvendit ia jep Kushtetuta, ia jep ligji dhe ne duhet t’i përdorim të gjitha këto mundësi jo për të treguar protagonizëm politik, prandaj e kërkojmë bashkëpërgjegjësinë tuaj në këtë proces, por për të qenë të vetëdijshëm që Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për t’u integruar në BE brenda vitit 2030, siç ka shfaqur vullnetin dhe ambicien si kryetari i Këshillit, Charles Michel, apo kryetarja e Komisionit Europian, të cilët besojnë se Ballkani Perëndimor mund ta hedhë këtë hap dhe Shqipëria, në fakt, është një lider në këtë rajon sa i tako këtij procesi.
Duke ju falënderuar për kohën që keni marrë jo vetëm për leximin, por edhe për angazhimin tuaj, këtu flas për të gjithë deputetët që janë në Konferencën e Kryetarëve, por edhe ata që mungojnë sot, unë do t’ju nxitja që në seancën e ditës së hënë ne jo vetëm ta diskutojmë, por edhe ta miratojmë këtë rezolutë.
Faleminderit!”