Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi propozoi datën 27 maj 2024 për çuarjen në seancë në Kuvend të draft-rezolutës për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian. Për shqyrtimin e këtij propozimi tha Çuçi do duhet të parashikohen edhe disa orë diskutimi për deputetët.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të deputetes së opozitës, Jorida Tabaku, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste shpjegoi pse është e domosdoshme miratimi i rezolutës dhe ngritja e Komisionit të Posaçëm. Çuçi theksoi se s’ka mbivendosje me kompetencat e asnjë komisioni tjetër dhe as me punën e Këshillit Kombëtar të Integrimit.
“Nuk mund ta bëjë qeveria këtë gjë prandaj po marrim një iniciativë të tillë në Parlament. Qeveria është një nga institucionet që do të raportojë për mirëqeverisjen dhe luftën kundër korrupsionit. S’ka asnjë merak për mbivendosje kompetencash nga Këshilli i Integrimit Europian apo komisionet e tjera. Procesi Screenig është burimi kryesor që na çon në marrjen e kësaj iniciative duke e shpallur prioritet luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen. Padiskutim që mazhoranca ka barrën kryesore sepse i është deleguar sovraniteti nga qytetarët, por ne kemi kërkuar gjithëpërfshirje në Parlament për ta udhëhequr këtë iniciativë”, deklaroi Çuçi.