Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit gjatë muajit prill, ndërsa pritshmëritë për ekonominë pësuan rigjallërim përpara fillimit zyrtar të sezonit turistik.

Indeksi i cili pësoi rritje me 6.6 pikë ndjek trendin pozitiv të marsit, ndërsa ndjesia ekonomike ishte në rënie në dy muajt e parë të vitit.
Shifrat e prillit tregojnë se tregtia ishte sektori me rritjen më të fortë me aktivitetin aktual të biznesit dhe pritshmëritë për punësimin mjaft pozitive.
Prirja optimiste ndiqet nga sektori i shërbimit, niveli i të cilit qëndron pranë vlerave më të larta historike. Të dy sektorë janë në masë të ndikuar nga pritshmëritë për ardhjen e më shumë turistëve. Edhe industria pati rritje me një vlerësim më optimist për prodhimin aktual dhe kontratat porositëse.

Ndërkohë i vetmi me rënie gjatë këtij muaji ishte sektori i ndërtimit. Ndërtuesit kanë hyrë në një cikël negativ prej dy muajsh tashmë, edhe pse për një periudhë të gjatë sektori ka paraqitur nivelet më të larta të optimizmit dhe ndjesia e tyre për sektorin vijon të qëndrojë mbi mesataren afatgjatë. Çfarë ka ndikuar në këtë muaj te ndërtimi janë vlerësimet më të ulëta që ata kanë dhënë për nivelin e porosive aktuale, duke nënkuptuar një rënie të numrit të shitjeve.

Sa i përket konsumatorëve, Banka e Shqipërisë shprehet se gjatë prillit u përforcua optimizmi i rritur i tyre për ekonominë. Treguesit ku konsumatorët u shprehën pozitivë përfshijnë situatën e përgjithshme ekonomike, situatën financiare dhe blerjet në shuma të mëdha. Ndërkohë pesimiste shprehen për rritjen e çmimeve dhe rënien e punësimit në të ardhmen.