Ministria e Jashtme ruse ka thirrur për sqarime ambasadorët e Francës dhe Britanisë, lidhur me situatat me deklaratat e ditëve të fundit për konfliktin në Ukrainë.

Ambasadori britanik Nigel Casey u thirr në ministrinë e jashtme ku ju dorëzua një notë proteste pasi Sekretari i Jashtëm David Cameron tha javën e kaluar se Ukraina kishte të drejtë të përdorte armët britanike për të goditur Rusinë.

Sipas diplomacisë ruse, deklaratat e Cameron pranonin se Britania ishte tashmë de fakto pjesë e konfliktit dhe kundërshtonte garancinë e mëparshme se armët me rreze të gjatë të dhëna Ukrainës nuk do të përdoreshin kundër Rusisë.

Ministria tha se i konsideronte komentet e Cameron një përshkallëzim serioz.

Nuk kishte asnjë shpjegim të menjëhershëm nga Ministria e Jashtme ruse se pse u thirr ambasadori francez, teksa për ekspertët kjo gjë lidhet më përsëritjen e deklaratave të Macron se NATO duhet të dërgojë trupa në Ukrainë.