Më 16 maj në Kotorr të Malit të Zi do të mbahet Samiti i rradhës BE-Ballkani Perëndimor. Pjesë do të jenë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë kryeministrat shqiptarë, Edi Rama, Albin Kurti dhe Talat Xhaferri. Nuk do të mungojë as presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe samiti do të jetë në drejtimin e kryeministrit malazez Milojko Spajiç si dhe komisionerit për zgjerim Oliver Varhelyi. Në këtë samit nuk do të mungojë as Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.
Përveç liderëve dhe ministrave nga vendet e rajonit, organizatat partnere si Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Botërore, Komuniteti i Transportit, Aleanca Atlantike, Komuniteti i Energjisë, Fondacionet e Shoqërisë së Hapur, ReSPA, GIZ, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian dhe të tjerë.
Një ditë para Samitit, më 15. maj, do të mbahet një takim i Ministrave të Çështjeve Evropiane dhe Financave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe organizatave partnere.
Muajt e fundit në Shkup dhe Tiranë janë zhvilluar takime ministrore dhe samite rajonale të liderëve të Ballkanit Perëndimor. Në këto takime, udhëheqësit dhe ministrat e vendeve të rajonit dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara diskutuan mbi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar afrimin socio-ekonomik me Bashkimin Evropian, pra dy miliardë grante dhe katër miliardë kredi të favorshme të garantuara nga BE.