Partizani luan këtë të diel shansin për titullin kampion, por edhe mundësinë më të mirë që ka për të bërë realitet ëndrrën për të shkuar në fazën në grupe të ndonjë kompeticioni ndërkombëtar. Shansi i të kuqve këtë vit vjen nga fakti se nëse fitojnë titullin kampion, do të renditen mes skuadrave të forta në shortin e turit të parë të Ligës së Kampioneve.

Edhe pse të kuqtë nuk kanë një koeficient shumë të lartë në UEFA, vetëm 6.5, për shkak të surprizave që kanë ndodhur në shumë kampionate të ndryshme, ku nuk kanë fituar emrat e zakonshëm, përllogaritet që në turin e parë të jenë në vazon e favoritëve nëse fitojnë trofeun përballë Egnatias. Kjo do të ishte një mundësi shumë e mirë për të peshkuar një kundërshtar më të lehtë në letër në turin e parë dhe për të tentuar kualifikimin, që rrit shumë shanset e tyre për të shkuar drejt fazës në grupe, ku qartësisht objektivi më i arritshëm në letër është Liga e Konferencës.

Një mundësi, që i shfaqet vetëm Partizanit në këtë sezon, pasi Egnatia ka një koeficient të ulët, prej faktit se ka marrë pjesë vetëm një herë në kompeticionet ndërkombëtare dhe është e “dënuar” të jetë në vazon e ekipeve të dobëta si në Ligën e Kampioneve, ashtu edhe në Ligën e Konferencës.