Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë janë sërish sot në Bruksel, për një takim nën ndërmjetësimin e BE-së që shpreson në fundin e sagës së ecejakeve të lidhura me gjetjen e një zgjidhjeje mbi përdorimin e dinarit serb në Kosovë.
Përpara dy ditësh skadoi afati i planit provizor të përcaktuar nga Banka Qendrore e Kosovës për të lehtësuar zbatimin e rregullores për pagesa me para kesh. Të martën, i dërguari europian për bisedimet mes palëve, Miroslav Lajçak, e bëri të qartë se pritshmëritë e bllokut janë për një zgjidhje të përkohshme dhe të qëndrueshme mbi këtë çështje.
Pas takimit të fundit me 25 maj, Lajçak i paraqiti palëve një dokument kompromisi në një përpjekje për të kapërcyer dallimet, edhe pse nuk u dhanë hollësi mbi propozimin në fjalë. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë akuzuan njëri tjetrin për dështimin e bisedimeve. Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila hyri në fuqi me 1 shkurt, përcakton se euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.
Kjo lëvizje acaroi menjëherë Beogradin, por ndaj saj edhe ndërkombëtarët reaguan me shqetësim lidhur me ndikimin në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi. Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Takimi i sotëm është i shtati me radhë në përpjekje për të gjetur zgjidhje për këtë çështje të shndërruar edhe në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.