Universiteti i Kalifornisë anuloi mësimet të mërkurën dhe u bëri thirrje njerëzve të shmangin zonën ku një natë më parë pati përleshje mes dy grupeve protestuese, pro-palestineze dhe pro-izraelite. Biblioteka e shkollës nuk do të rihapet deri të hënën dhe salla ‘Royce’, për të cilën autoritetet thanë se ishte vandalizuar, do të mbahet e mbyllur deri të premten. Universiteti ka vendosur oficerë të zbatimit të ligjit në të gjithë hapësirat e universitetit.

Numri i të arrestuarve pas ndërhyrjeve të policisë për të shpërndarë protestuesit pro-palestinezë në universitetet amerikane ka tejkaluar shifrën 1000.

Në raste të rralla, zyrtarët e universitetit dhe udhëheqësit e protestës kanë arritur marrëveshje për të shmangur kufizimet e ashpra të aktiviteteve brenda hapësirave të universitetit dhe penguar ceremonitë e diplomimit që pritet të mbahen brenda pak ditëve.

Në Universitetin e Kalifornisë grupe pro-palestineze dhe pro-izraelite u përleshën mbrëmë për disa orë mirëpo autoritet nuk kanë njoftuar për të lënduar.

Kryetarja e Bashkisë të Los Anxhelosit Karen Bass e quajti dhunën “absolutisht të neveritshme dhe të pafalshme” në një postim në mediat sociale dhe tha se policia e qytetit ishte në vendngjarje. Universiteti tha se kishte kërkuar ndihmë.

Të martën në mbrëmje, policia e Nju Jorkut hyri në Universitetin ‘Columbia’ pasi universiteti kërkoi ndihmë. Ata larguan një kamp me tenda dhe larguan turmën që kishte marrë nën kontroll sallën ‘Hamilton’.

“Pasi Universiteti mori vesh se salla ‘Hamilton’ ishte pushtuar, vandalizuar dhe bllokuar, nuk na mbeti zgjidhje tjetër”, tha shkolla në një deklaratë.

Disa dhjetëra protestues në ‘Columbia’ u arrestuan pasi injoruan një ultimatum të mëparshëm për të hequr kampin me tenda të hënën ose do të përballeshin me pezullim.

Disa rrugë më tutje nga Universiteti ‘Columbia’, në ‘City College’ të Nju Jorkut, demonstruesit u përplasen me policinë para hyrjes kryesore të këtij universiteti publik. Pamje filmike të postuara në mediat sociale nga gazetarët të martën në mbrëmje, tregonin oficerët që detyronin disa njerëz të ulën në tokë dhe shtynin të tjerët ndërsa pastronin rrugën dhe trotuaret.

Pasi mbërriti policia, oficerët hoqën një flamur palestinez që ishte vendosur në shtizën ku mbahej flamuri i ‘City College’ dhe e hodhën në tokë. Më pas ata vendosën aty flamurin amerikan.

Universiteti ‘Brown’, një tjetër shkollë elitare, arriti marrëveshje të martën me protestuesit në hapësirat e saj në Rod Ajllënd. Demonstruesit thanë se do të hiqnin kampin e tendave nëse administratorët e universitetit të paktën do të diskutonin në muajin tetor për mundësinë që të heqin dorë nga investimet në kompanitë izraelite. Kjo me gjasë është hera e parë që një universitet amerikan ka rënë dakord që kërkesat e protestuesve të hidhen në votim.

Ndërkohë, në Universitetin e Arizonës Veriore në Flagstaff, policia hoqi një kamp me tenda të martën në mbrëmje dhe arrestoi rreth 20 persona. Zyrtarët e universitetit kishin paralajmëruar studentët se do të përballeshin me akuza penale nëse nuk do të shpërndaheshin.

Policia gjithashtu hoqi një kamp me tenda të mërkurën në mëngjes në Universitetin Tulane në Nju Orlins dhe rrëzoi të gjitha, përveç një tende në Universitetin e Uiskonsin në Madison, ku policia u përlesh me protestuesit dhe pati mbi 10 të arrestuar. Katër oficerë u plagosën, duke përfshirë një ushtarak të shtetit i cili u godit në kokë me një mjet të fortë, sipas zëdhënësit të policisë të Universitetit të Uiskonsin, Marc Lovicott.

Protestat nëpër universitetet amerikane filluan në Universitetin ‘Columbia’ si reagim ndaj ofensivës së Izraelit në Gazë dhe pasi Hamasi kreu një sulm terrorist në pjesën jugore të Izraelit më 7 tetor. Militantët vranë rreth 1200 njerëz, shumica prej tyre civilë dhe morën afërsisht 250 pengje. Duke u zotuar se do të zhdukë Hamasin, Izraeli ka vrarë më shumë se 34,000 palestinezë në Rripin e Gazës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë atje që kontrollohet nga Hamasi.

Disa studentë hebrenj, Izraeli dhe mbështetësit e tij i kanë cilësuar protestat universitare si antisemite, ndërsa kritikët e Izraelit thonë se akuzat bëhen për të heshtur kritikat. Ndonëse disa protestues janë filmuar duke bërë komente antisemite ose kërcënime të dhunshme, organizatorët e protestave, disa prej të cilëve janë hebrenj, thonë se kjo është një lëvizje paqësore që synon mbrojtjen e të drejtave palestineze dhe proteston kundër luftës.

Policia e Njur Jorkut ka njoftuar se do të jenë të pranishëm në Universitetin ‘Columbia’ deri më 17 maj, kur janë planifikuar të përfundojnë aktivitetet e diplomimit.

Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, demokrati Eric Adams dhe ish-kapiten i policisë së Nju Jorkut, këmbënguli se ndërsa studentët ishin në mesin e atyre që hynë në sallën Hamilton, “ajo drejtohej nga individë që nuk kishin lidhje me universitetin”.

Zoti Adams nuk dha ndonjë provë për të mbështetur këtë pretendim, duke thënë se zbulimi i këtyre detajeve do të ishte “shumë i ndjeshëm” për hetimin që po zhvillohet.

Rebecca U. Weiner, zëvendëskomisionerja e Policisë së Nju Jorkut që drejton sektorin për inteligjencën dhe kundër terrorizmin, tha se disa nga protestuesit ishin “të njohur” për departamentin pasi kishin marrë pjesë edhe në protestat e kaluara.

Zëvendës komisioneri i departamentit të policisë për informacionin publik, Tarik Sheppard, tha se 40 deri në 50 persona u arrestuan në sallën Hamilton dhe se nuk kishte të lënduar. Zoti Adams tha se rreth 300 njerëz u arrestuan në Universitetin ‘Columbia’ dhe ‘City College’.

Në mesin e 300 personave të arrestuar përfshihen edhe individë të jashtëm që u kapën duke bërë përpjekje për të përshkallëzuar protestat që u mbajtën në universitetin ‘Columbia’.

Sipas zotit Adams administrata e këtij universiteti kërkoi ndërhyrjen e policisë pasi kuptuan se në hapësirat e universitetit kanë hyrë edhe individë të jashtëm që po trajnojnë dhe realisht po udhëheqin protestën.

Ndërhyrja e policisë u bë që t’i mundësohet këtij universiteti largimi i këtyre individëve që kthyen protestën në një lëvizje anti-semite dhe kundër Izraelit.

Protestuesit fillimisht ngritën një kamp me tenda në ‘Columbia’ pothuajse dy javë më parë. Shkolla dërgoi policinë për të hequr çadrat të nesërmen, duke arrestuar më shumë se 100 persona, por studentët u kthyen sërish në hapësirat e universitetit.

Negociatat mes protestuesve dhe universitetit u ndalën ditët e fundit dhe shkolla u caktoi një afat protestuesve që të braktisin kampin me tenda të hënën pasdite ose do të pezulloheshin.

Por protestuesit shkuan më tej duke pushtuan ndërtesën Hamilton të martën në mëngjes e bllokuan hyrjen brenda saj.VOA