Menaxheri i Myrto Uzunit, Franci Bode, ka shpërthyer pas lënies jashtë nga Europiani të sulmuesit që luan në Spanjë me Granadën.

Ai e ka quajtur padrejtësi vendimin e Sylvinhos, në një postim në Instagram.

“Kur ëndrra jote është të përfaqësosh vendin tënd në nivelin më të lartë të garave! Si mund të lini jashtë një lojtar me 11 gola në La Liga-n spanjolle? Bazuar në statistikat aktuale ai është më i mirë se 5 nga 6 lojtarët sulmues në ekipin tonë kombëtar për Euro 2024. Ai gjithmonë feston me simbolin e shqiponjës për të treguar se është krenar që është shqiptar, që lufton për fanellën që vesh si luan. Nuk e meriton këtë! Padrejtësi”, shkruan Bode.

Trajner i Shqipërisë, Sylvinho, ka shpallur paraprake me 27 futbollistë që do të grumbullojë për përgatitoret në kuadër të Euro 2024-ës. Të gjithë këta futbollistë do të vihen në dispozicion të trajnerit për të garuar për një vend në listën zyrtare të 26 futbollistëve që do të shkojnë në Gjermani, e cila do të publikohet zyrtarisht më 7 qershor, teksa vetëm njëri nuk do të marrë pjesë në Europian.

Mungesa tjetër e madhe është padyshim sulmuesi Sokol Cikalleshi, teksa janë ftuar Arbër Hoxhaj, e Rey Manaj. Surprizë është Medon Berisha, kapiteni i Shqipërisë U21, që ka luajtur titullar me Leccen javët e fundit, por edhe portieri Simon Simoni.

LISTA

PORTIERË: Etrit Berisha, Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Simon Simoni

MBROJTËS: Naser Aliji, Arlind Ajeti, Ivan Balliu, Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Enea Mihaj, Mario Mitaj

MESFUSHORË: Amir Abrashi, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Klaus Gjasula, Qazim Laçi, Ernest Muçi, Ylber Ramadani

SULMUES: Jasir Asani, Armando Broja, Mirlind Daku, Arbër Hoxha, Rei Manaj Manaj, Taulant Seferi.