Alma Arrazi dyshohet se u vetëmbyt në lumin Buna së bashku me tre fëmijët e saj të mitur, por për gazetarin Dritan Laci duhet të hetohet edhe pista e vrasjes.

Në emisionin “Jetë Shqiptare”, Laci hodhi disa dyshime, teksa tha se bashkëshorti i saj kishte lidhje me bandat në Shkodër.

Ai tha se gratë që kanë frikë të denoncojnë për shkak se bashkëshorti i tyre është “i forti i qytetit”, mund ta bëjnë denoncimin në një qytet tjetër. Ai tha se edhe në këtë rast, Erdgys Arrazi ishte “i fo”ti” i Shkodrës dhe i lidhur me bandat e qytetit.

Sipas tij duhet hedhur dritë mbi bisedën e fundit që Alma ka zhvilluar me kunatën, bashkëshorten e vëllait të burrit. Po ashtu, i dyshimtë për gazetarin është edhe fakti se ngjarjet ndodhën në 4 ditët e fundit, kohë kur ka dalë nga burgu edhe vëllai i Erdgys Arrazit.

“Duhet të hetohet edhe për vrasje në këtë rast. Duhet parë sepse filmimet e fundit janë në hyrje të urës së vjetër të lumit Buna dhe aty ka dy lagje, njëra që futesh në urë dhe një që del dhe të dyja kanë kamera.

Fakti që parmakët e urës janë 1 metër e gjysmë dhe një peshkatar duhet të ngjiten deri në urë për të hedhur rrjetet, si ja ka dalë një nënë e vetme me tre fëmijë… cila është skema që ka bërë.

Këtu duhet parë, duhet hetuar në dy rrafshe dhe nuk duhet të harrojmë që ngjarjet zhvillohen në 4 ditët e fundit kohë kur kishte dalë nga burgu edhe vëllai i bashkëshortit, i dënuar. Ka disa pista që duhen parë dhe pse takoi për herë të fundit kunatën”, u shpreh gazetari.