Sot shënohet 1 Maji, dita ndërkombëtare e punëtorëve, ditë e cila ka si qëllim të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës. Në të gjithë botën 1 Maji është një ditë proteste për të kërkuar plotësimin e të drejtave të tyre në punë. 1 Maji lidhet me protestat e punëtorëve, për 8 oraret e punës, për pagat mesatare të garantuara, për pajisjen, mbrojtjen në vendin e punës.

Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi në vitit 1855 e cila kishte këtë slogan: “8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”. 1 Maji sjell në kujtesë protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, me 1 maj 1866, ku punëtorët kërkonin të drejtat e tyre në punë.

Manifestimi masiv dhe madhështor u bë edhe një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1867. Kështu filloi rrugëtimi i kësaj date, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes Lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus e kanë pozitën socio-ekonomike të punëtorëve.

Sindikata botërore e caktoi 1 Majin, ditë në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre. Në Europë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës.

Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet dita ndërkombëtare e punëtorëve. Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që dita e 1 Majit do të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet, si festa e punëtorëve.