Albcontrol menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore shqiptare (FIR), në përputhje me standardet ndërkombëtare të navigimit ajror.

Zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndau sot në një postim në rrjetet sociale shifrat e trafikut ajror të menaxhuar nga Albcontrol për periudhën 1-15 maj 2024.

“Në Rinas janë kryer 1493 ulje të avionëve, 1495 ngritje të avionëve, ndërsa 13054 kanë qenë mbikalime në qiellin shqiptar. Në total janë 16 042 fluturime”, tha Balluku.

Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit vetëm gjatë 4 muajve të parë të vitit 2024 regjistroi mbi 2.8 milionë pasagjerë. Kjo edhe falë linjave të reja dhe veçanërisht mundësive për lidhje me vende që nuk ishin të lehta e të arritshme më parë.

Në janar të këtij viti ka nisur puna për zgjerimin e pistës në aeroportin e Rinasit, për të mundësuar fluturime transoqeanike.