Partizani dhe Egnatia luajnë të dielën në 19:00 në “Air Albania” për finalen e titullit kampion në Superligë. Finalja e “Final 4” është komentuar edhe nga Edlir Tetova, trajneri i Egnatias. Për durrsakun titullin e meriton ekipi i tij pasi ka dominuar për 36 javë duke e mbyllur në krye sezonin e rregullt.

“-E mbyllët kampionatin e rregullt të parët, por për fatin e keq tuajin do të luani nesër një finale për titullin. Si ndiheni?

Na vjen keq, sepse e kemi udhëhequr kampionatin që nga java e 3-të e deri tek e fundit, e 36-ta.

-Si është atmosfera tek Egnatia?

Skuadra është maksimalisht e përqendruar, e kemi përgatitur gjithçka në detaje për këtë finale ndaj Partizanit. Besoj se do të bëjmë më të mirën.

-Si ju dalin llogaritë?

Normalisht, gjithçka është e detajuar, pasi bëhet fjalë për një finale. Lojtarët do të luajnë me të gjitha forcat e tyre. Pikat e dobëta të Partizanit… Nuk dua të shprehehem për këtë pjesë. Gjithkush merr masat e tij.

-Lojtari i Partizanit që do t’ia hiqje kundërshtarit të nesërm?

Nuk do t’i hiqja asnjë lojtar, pasi mendoj vetëm për ekipin tim dhe si të japim maksimumin.

-Sa ndikon eksperienca në një finale si kjo?

Nuk besoj se vlen aq eksperienda. Është një format i ri dhe gjithçka e re. Ekipi im, pas fitimit të Kupës së Shqipërisë ka entuziazëm. Jam i bindur se do të japim më të mirën. Finalen e fundit ndaj Partizanit, atë të Superkupës, e keni humbur… Është diçka të tjetër. Besoj se kjo finale do të ketë dinamikë ndryshe.

-A jeni gati psikologjikisht?

Është rast i rrallë që për 1 vit të prekësh 4 finale. Kjo i bën mirë ekipit, e rrit psikologjikisht. E përsëris, finalja e Superkupës dhe ajo e nesërmja nuk kanë asnjë lidhje.

-A keni strategji fiske për këtë finale?

Finalet janë për lojtarët, patjetër që stategjitë janë të pranishme. Janë dy skuadra që kanë përfunduar në dy vendet e para të renditjes, ndaj kërkohet përqendrim total dhe vlerësim maksimal për ta fituar këtë finale”, tha Tetova.

Në gjysmëfinalen e “Final 4” Egnatia eliminoi Vllazninë edhe pse me barazimin 0-0, teksa kërkon titullin e parë në histori sa i takon Superligës.