Hajdar Bako alias Hajdar Copja alias Hajdar Hysa, 40 vjeç, u arrestua në Dubai pasi është i dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Në vitin 2017, në fshatin Katund i Ri, Hajdar Bako i njohur edhe si “Dari i Elbasanit”, së bashku me 4 të tjerë, është implikuar në një konflikt, gjatë të cilit është qëlluar me armë zjarri dhe janë plagosur 3 persona.
Atë kohë në konflikt u përfshi Hajdar Bako dhe F.G, 25 vjeç, të cilët u përplasën me Alfred Gjini, Klevis Gjini dhe Emiljano Gjini. Nga përplasja e dhunshme mbetën të plagosur 3 persona.
Kush është “Dari i Elbasanit”
Por emri i Hajdar Bakos, i njohur dhe si “Dari i Elbasanit”, nuk është i njohur vetëm për këtë përplasje të dhunshme. Emri i Bakos, doli dhe në dosjen e të pandehurit, Nuredin Dumani. Hajdar Bako shfaqej si një nga porositësit për eliminimin fizik të rivalëve të tij në dosjen e Nuredin Dumanit.
Nga dosja hetimore rezultonte se Dumani, ka dëshmuar se grupi i Erjon Alibej alias Agim Shurbi me pseudonimin “Krymi” dhe grupi i Hajdor Bakos alias (Çopja), i thirrur shkurtimisht “Dari”, janë vënë në garë për të eliminuar njëri-tjetrin.
Vetë Dumani atë kohë pranoi para SPAK se kiste mbajtur kontakte me dy grupet rivale në Elbasan, atë të Erjon Alibej dhe Hajdar Bakos.
“…Arjan Spahiu, që mbeti i vrarë në Belgjikë, ka qenë në listë për tu ekzekutuar nga vëllezërit Çopja, të cilët janë financuesit. Talo Çela, më ka thënë mua që nëse kryeja vrasjen e Arjan Spahisë, do më jepte 300 mijë euro…”, shprehej Dumani.