Sokol Cikalleshi ka reaguar në lidhje me listën e lojtarëve që trajneri Sylvinho ka përzgjedhur për të marrër me vete në Euro 2024. Cikalleshi nuk ishte pjesë e asaj liste, duke u cilësuar edhe surprizë.
Pikërisht për këtë, ka reaguar vetë sulmuesi kavajas i cili aktivizohet me Konyaspor në Superligën turke. 33-vjeçari e nis me “Fundi i një rrugëtimi”, duke e bërë të qartë që aventurës së tij me fanellën e kombëtares i ka ardhur fundi.
“Fundi i një rrugëtimi!
Rrugëtimet jane të bukura, me uljet e ngritjet e veta. Gjatë rrugëtimeve nëse gjërat i ke bërë siç duhet, fundi është i lumtur, paçka se, jo gjithmonë e zgjedhim vetë mënyrën.
Ka qenë një krenari dhe emocion i papërshkueshëm përfaqësimi i fanellës së ekipit kombëtar të futbollit. Bartja e emocioneve të një kombi mbi shpinë, është sa privilegj, aq edhe një përgjegjësi, cila më ka bërë të përunjur dhe mirënjohës ndaj çdokujt që besoi, ndaj çdokujt që më dha kurajo për të vazhduar, e padyshim, në mënyrë të veçantë ndaj çdokujt që brohoriti për mua.
Ashtu siç, çdo fillim e ka një fund, edhe rrugëtimit tim me ekipin kombëtar të futbollit i erdhi fundi!
Ndihem i lumtur për çka bëra gjatë këtij rrugëtimi, ku dhashë pakursimin më të vogel pikën e fundit të djersës dhe shpirtin për të bërë më të mirën e mundshme.
Falenderoj Zotin për gjithëçka më ka dhënë në jetë, familjen për mbështetjen, tifozet Kuq e Zi që meritojne shumë më shumë sesa ne kemi dhënë në fushën e blertë.
Lutem Zotit që shokët që do vijojnë rrugëtimin në Euro2024 të kenë sukses dhe të bëjnë një paraqitje dinjitoze.”, shkruan Sokol Cikalleshi në profilin e tij në Instagram.