Skënderbeu fitoi 3-2 kundër Vllaznisë në finalen e vogël të “Final 4” dhe siguroi vendin e tretë në Superligë për edicionin 2023-24. Pas ndeshjes për MCN trajneri i korçarëve Ivan Gvozdenovic tha se të tijtë e merituan plotësisht këtë vend.

Paçka se siguruan një vend në Kupat e Evropës në bazë të renditjes, Skënderbeu nuk do mund të luajë në Conference Legaue për shkak se është dënuar me dhjetë vite nga UEFA dhe ende i kanë mbetur edhe tre të tilla për të shlyer.

“Ishte kampionat shumë interesant dhe i bukur, Skënderbeu kapi çfarë meritonte. Bravo çunave, tifozë, stafi, presidenti. Ishte një vit shumë pozitiv. Jemi shumë të kënaqur. Ishte shumë e vështirë, kisha një skuadër shumë të mirë me cilësi, por ishin lojtarë të rinj, nuk kishim eksperiencë dhe kisha frikë për vendin e katërt.
Kur e pashë që skuadra po forcohej, besimi u rrit për ‘Final 4’. Lojtarët meritojnë të gjitha bravot. Pësuam 3-4 humbje radhazi, por kemi ambient shumë të qetë, president shumë të zgjuar, kjo më ndihmoi mua si trajner, për ta kaluar momentin e vështirë. Ky ishte çelësi i suksesit.

Nuk mund të flas për veten, nuk mund të vendos unë notat, i vendosin tifozët dhe specialistët. Egnatia dhe Partizani janë skuadra shumë të forta. Do të jetë finale e bukur, do të ketë fitues brenda 90 minutave. Do të jetë një finale e bukur me shumë gola”, u shpreh Gvozdenoviç.