Edhe pse shifrat e kultivimit të kanabisit për vitin 2023 në Vlorë ishin modeste dhe të pakrahasueshme me Shkodrën, Lezhën, Krujën apo Tropojën, nga qyteti bregdetar, ministri i Brendshëm Taulant Balla shpalosi qëllimin e sezonit veror, nxjerrjen nga lista e halleve dhe problemeve të këtij vendi.
“Në vitin 2023 i kemi dhënë një goditje të fortë kultivimit të bimëve narkotike. Por në këtë vit duhet që përfundimisht të heqim vendin nga halli i kultivimit të bimëve narkotike kanabis”, tha Balla.
Në një takim në Horë-Vranisht të Himarës, ku të pranishëm ishin kryetarët e bashkisë së qarkut Vlorë, drejtues të policisë e më gjerë, Balla foli për përdorim të dronëve në monitorim nga ajri, së bashku me Guardia di Finanza.
“Gjatë këtij viti dhe shumë shpejt do të nis monitorimi nga ajri edhe me dronët “Bayraktar” bashkë me Guardia di Finanza që do të intensifikoj kontrollet. Me qëllim jo vetëm kultivimin e bimëve narkotike, por edhe goditjen e ndërtimeve pa leje”, u shpreh Balla.