Përfaqësuesi i përbërjes së Qeverisë së Serbisë dhe lideri i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Millosh Vuçeviç, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Serbisë deklaroi se Serbia e ka ende synim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE). Por, ai shtoi se “fakti që procesi është i ngarkuar nga kriteret e reja politike nuk mund të injorohet”.
Së fundi, BE-ja zyrtarisht ka kushtëzuar integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën. Vuçeviç tha se pritshmëritë e BE-së lidhen me atë që Serbia ta “poshtërojë” veten duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Por, ai theksoi që Serbia nuk do t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë. “Nuk ka dyshim se presionet do të vazhdojnë, ndoshta do të intensifikohen, por jemi të vendosur që të qëndrojmë në të njëjtat pozicione”, tha Vuçeviç.
“Serbia nuk mund dhe nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë, popullin e së cilës ne e konsiderojmë vëllazëror, ashtu siç është rasti me ukrainasit. Ne e kemi dënuar qartë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por kemi deklaruar se nuk do t’i bashkohemi politikës së sanksioneve”, tha ai. Në prezantimin e tij, Vuçeviç “theksoi posaçërisht” rëndësinë e partneritetit me Kinën, duke vlerësuar se marrëveshja tregtare do të hapë dyert e tregut kinez për biznesmenët. “Pavarësisht pikëpamjeve kontradiktore të shumë njerëzve në Perëndim, për ne Kina përfaqëson një vend mik, një partner dhe një aleat të besueshëm në mbrojtjen e integritetit tonë territorial”, shtoi ai. Ai tha se qëndrimi i Serbisë ndaj Kinës nuk do të ndryshojë dhe shtoi se mezi pret vizitën e presidentit kinez, Xi Jinping, i cili do ta vizitojë Serbinë më 7 dhe 8 maj.
Vuçeviç gjithashtu tha se Serbia do të ndërtojë marrëdhënie më të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Aty ku ka mosmarrëveshje, si për Kosovën, ne do ta përsërisim qëndrimin tonë, do të punojmë që partnerët tanë amerikanë të na dëgjojnë dhe kuptojnë”, shtoi Vuçeviç. Ai gjithashtu tha se Serbia do të bëjë gjithcka për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Këto deklarata, Vuçeviç i bëri gjatë prezantimit të tij para deputetëve të Kuvendit të Serbisë në seancën për zgjedhjen e Qeverisë së re. Zgjedhja e Qeverisë së Serbisë dhe betimi i Presidentit dhe anëtarëve të Qeverisë është pika e vetme e rendit të ditës në seancën e cila po mbahet më 1 maj, Ditën Ndërkombëtare të Punës.
Qeveria e re do të ketë 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol. Ish-kreu i shërbimit të inteligjencës Aleksandar Vulin, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – ndër të tjera për shkak të lidhjeve me Rusinë – është propozuar të rikthehet në kabinet si zëvendëskryeministër. Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-së për shkak të lidhjeve me Rusinë po kthehet në Qeveri – Nenad Popoviç, si ministër pa portofol. Qeveria u formua katër muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, në të cilat progresistët fituan mbi gjysmën e shumicës në asamblenë republikane. Afati i fundit për zgjedhjen e Qeverisë së re është 6 maji.
Koalicionet e opozitës, Serbia kundër dhunës dhe NADA, akuzuan koalicionin e udhëhequr nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet për vjedhje zgjedhore. Parregullsi të shumta gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, provinciale dhe lokale të mbajtura më 17 dhjetor në Serbi janë vënë në dukje nga misionet vëzhguese ndërkombëtare dhe vendore. Autoritetet kanë mohuar vazhdimisht se ka pasur parregullsi më të rënda zgjedhore.
Në shkurt, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që kërkon nga autoritetet në Serbi të lehtësojnë një hetim ndërkombëtar për parregullsitë e supozuara, me referencë të veçantë për zgjedhjet për Asamblenë e Qytetit të Beogradit./ REL