Patos, 20 maj – Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte në shkollën 9-vjeçare “Muhamet Shehu” në Patos, shkollë e cila i shtohet 100 shkollave të reja që po rikonstruktohen nga e para në të gjithë vendin.
Për herë të parë, në këtë shkollë janë shtuar mjedise sportive, përfshirë një palestër, fushë futbolli, volejbolli dhe basketbolli, të cilat jo vetëm që do të shërbejnë për nxënësit por edhe për komunitetin lokal.
“Jam këtu në një tjetër shkollë të rikostruktuar, shkollën “Muhamet Shehu” në Patos. Tashmë jemi duke hapur dhe 40 kantiere në të gjithë vendin në shkollat në të cilat do ti nënshtrohen fazës së rehabilitimit, apo ndërtimit të terreneve sportive të reja palestrave që po rindërtohen por nga ana tjetër janë 100 shkolla që vitin e ri shkollor t’i kemi të gjitha të pajisura dhe gati për t’i vënë në dispozicion të mësuesve dhe nxënësve”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Paralelisht me përmirësimin e infrastrukturës, Ministrja theksoi angazhimet për formimin profesional të mësuesve, përmirësimin e sistemit të kualifikimit të tyre dhe rritjen e pagave. Këto masa synojnë të rikthejnë dinjitetin e figurës së mësuesit dhe të inkurajojnë brezin e ri të ndjekë studimet në fushën e mësuesisë, të mbështetura nga bursa të veçanta.
“Ne jemi duke mbështetur fort Programin e Zhvillimit Profesional të Mësuesve, pasi paralelisht me shtyllën e infrastrukturës dhe përmirësimit të saj ne kemi një fokus të veçantë tek mbështetja për edukimin në vazhdim, trajnimin e mësuesve. Në bashkinë e Patosit janë mbi 100 mësues të cilët janë përfshirë në procesin e trajnimeve sa i përket, gjuhës shqipe, arsimit fillor, shkencave të natyrës, përfshirë matematiken, biologjinë, kiminë, fizikën dhe gjithashtu edhe mësuesit e Teknologjisë dhe Informacionit ku nëpërmjet këtyre trajnimeve ne synojmë që t’i pajisim mësuesit me metodat më të mira dhe efektive të mësimdhënies dhe nga ana tjetër të rrisim kapacitetet e tyre duke i përshtatur aftësitë e tyre dhe me teknologjinë dhe inovacionin për të përdorur zhvillimet e teknologjisë që na drejtojnë edhe te mësimi i personalizuar.”, tha Manastirliu.
Përmirësimi i infrastrukturës shkollore dhe sportive është një prioritet i Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, me qëllim krijimin e kushteve optimale për nxënësit dhe mësuesit.