Έρωτας, αγάπη, πάθος, θέληση, πόθος, στοργή
Nga Ornela Çuçi/
Të gjitha do të mund t’i përktheja “dashuri”, athua se dashuria ka vetëm një nuancë.
Duke qenë se unë besoj tek biologjia, më shumë se tek Zoti, fillova të mendoj se si ndryshojmë ne biologjikisht nga këto nuanca. A janë ato të njëjta në reagimin e trupit tonë, apo ajo qe ne nuk ia gjejmë dot fjalën e saktë në shqip, nuk ndryshon nuancë biologjikisht as në trupin tonë, e andaj mund te shprehet thjesht “dashuri”.
A dashurojmë me zemër, apo me tru? A të dua se me duhesh? A të ndjej me sasi të mëdha serotonine apo të posesoj me sasi të mëdha dopamine?
Njerëzimi, ky së paku që ne njohim, 5000 vjeçari, e ka përshkruar prej kohësh zemrën si një burim ndjenjash. Këtë besonin egjiptianët e lashtë e mandej edhe grekët e lashtë. Aristoteli, për shembull, besonte se mendja qëndronte në zemër, duke e konceptuar si një mekanizëm ii cili pomponte mendime dhe ndjenja. Këtë mekanizëm pompues, shekuj më vonë, kardiologu Dr. Sandeep Jauhar e quajti një “zemër metaforike”. Zemra metaforike është mënyra se si ne mendonim për zemrën para ardhjes së shkencës, thotë ai. Zemra ishte fara e shpirtit, ishte aty ku qëndronin emocionet si dashuria apo guximi.
Ajo që të gjithë tashmë, me uljen këmbëkryq të shkencës në telefonat tanë, konceptojmë, është se zemra e lidhur me dashurinë, kjo “zemër metaforike”, ka efekte të drejtpërdrejta në zemrën tonë biologjike. Njerëzit që kanë marrëdhënie të shëndetshme dashurie statistikisht dëshmohet se kanë zemra më të shëndetshme.
Ne bëjmë fajtore së koti zemrën, sepse thjesht nuk jemi të aftë të kontrollojmë trurin. Biologjikisht dashuria fillon në tru, sepse shpërthimi hormonal fillon pikërisht aty, në tru. Ky shpërthim emocionesh që ne e lidhim me zemrën tonë, fillon me aktivizimin e dopamines thellë në qendrat e trurit.
Dopamina si kënaqësi
Dopamina njihet si neurotransmetuesi që na bën të ndihemi mirë, por gjithashtu na thotë të kushtojmë vëmendje dhe të presim shpërblime. Dopamina na përgatit për hapin tjetër: furinë e dashurisë, ose nëse mbetemi vetëm me dopaminë, mbetemi peng të obsesionit.
Serotonina si lumturi
Por nuk mbetet këtu. Trupi vazhdon një efekt domino të prodhimit hormonal, si adrenalina dhe norepinefrina. Nuk është çudi që shpesh dridhemi dhe ndihemi sikur zemra na rrah kur mendojmë për njeriun që duam. Mandej, truri e vulos marrëveshjen që ne bëjmë me zemrën, duke lëshuar oksitocinë, që shpesh quhet “hormoni i dashurisë”, që i ndihmon çiftet të krijojnë lidhje të forta.
Dashuria i bën mirë zemrës. Biologjikisht i bën shumë mirë edhe trupit!
Përmbytja e trupit me hormonet e dashurisë është veçanërisht e dobishme për sistemin nervor dhe, rrjedhimisht, për zemrën. Ndjenja e ngrohtë e dashurisë stimulon sistemin tonë nervor parasimpatik, duke na ndihmuar të relaksohemi. Kjo redukton stresin dhe përmirëson ndjenjat e depresionit dhe ankthit. Ndjenjat e dashurisë gjithashtu relaksojnë sistemin tonë nervor simpatik, i cili është përgjegjës për reagimet luftarake. Kur jemi të relaksuar, enët e gjakut kanë tendencë të zgjerohen pak më shumë dhe presioni i gjakut tenton të bjerë, thekson Jauhar.
Kur je i dashuruar “e do” (meqë nuk e urren) edhe armikun.
Një studim i 60 çifteve në New York tregoi se presioni i tyre i gjakut ishte më i ulët kur kishin ndërveprim social me partnerin sesa kur ishin vetëm ose kur ndërvepronin me të tjerët. Çuditërisht, ulja e presionit të gjakut ndodhi edhe kur çiftet besonin se marrëdhëniet e tyre ishin më pak se ideale.
Se mos mendonit se ngelet vetëm tek zemra dashuria? A vjen apo ikën edhe me funksionimin e stomakut?
Serotonina dhe dopamina janë dy neurotransmetues të rëndësishëm që ndikojnë në shëndetin tonë mendor dhe më shumë. Ato janë gjithashtu përbërës të rëndësishëm për shëndetin e aparatit tretës, kryesisht zorrëve.
Mangësitë në të dyja këto kimikate mund të çojnë në simptoma të depresionit dhe probleme me të ngrënit, gjumin dhe përqendrimin. Dopamina gjithashtu prek muskujt dhe nivelet e ulëta tw saj mund të shkaktojnë dridhje dhe vështirësi me koordinimin dhe përqendrimin.
Por, heyyyy!, mos u dëshpëroni nëse nuk keni një romancë të rëndësishme në jetën tuaj. Shkenca e thotë me siguri që nerurotransmetuesit e dashurisë çlirohen kur ndjeni dashuri për të gjitha llojet e gjërave. Edhe për veten… me rrezikun që mund tu quajnë narcist. Për disa njerëz, marrëdhënia më intensive në jetën e tyre mund të jetë ajo me fëmijët e tyre ose me prindërit ose me kafshën e tyre, thotë Jauhar. Prandaj këto hormone nuk kanë të bëjnë me objektin e dashurisë, por më shumë me ndjenjën. Përqafimi i një shoku ose një anëtari të familjes rrit nivelet e oksitocinës, hormonit të ndjenjës së mirë që na ndihmon të relaksohemi. Studimet kanë treguar se përqafimet na mbrojnë nga konfliktet ose stresi në të ardhmen, ndoshta duke ulur presionin e gjakut dhe rrahjet e zemrës.
Vullnetarizmi është një mënyrë tjetër për të krijuar një lidhje të shëndetshme që mund të rrisë humorin e mirë dhe të largojë depresionin. Shkenca ka treguar se personat që dalin vullnetarë kanë shkallë më të ulët të vdekshmërisë. Njerëzit me sëmundje kronike ndjejnë më pak dhimbje kur ndihmojnë të tjerët.
Dhe mos harroni miqtë tanë me katërputroshë. Përfitimet shëndetësore për ata që kanë një kafshë shtëpiake janë të dokumentuara mirë, si për njerëzit ashtu edhe për kafshët shtëpiake. Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve publikuan një listë të përfitimeve të zemrës nga dashuria e një kafshe: ulja e presionit të gjakut, kolesterolit dhe trigliceridet, ndërsa rrit mundësitë për stërvitje, aktivitete në natyrë dhe socializim.
Dashuroni pra, veten, fëmijët, prindërit, të afërmit, miqtë edhe ata katërputroshë, natyrën, e mos hezitoni ta shprehni. Në të gjitha mënyrat!