“Demokratët euroatlantik”. Kështu i ka quajtur Lulzim Basha strukturat e grupimit të tij në Vlorë, gjatë një takimi që zhvilloi sot.
Ai bëri thirrje që shqiptarët të votojnë programin e tij elektoral.
“Një takim me strukturat drejtuese, drejtuesit e lartë në fakt të demokratëve euroatlantik për të vazhduar pa asnjë ndalesë rrugën që kemi nisur. Për t’i dhënë shqiptarëve alternativën që u mungon, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme mos të jenë një tjetër tango e të vjetrës dhe e të keqes që ka pushtuar vendin. Por shqiptarët anembanë Shqipërisë të kenë mundësinë të votojnë për programin që meritojnë dhe për njerëizt që meritojnë. Sepse shqiptarët meritojnë më shumë dhe Shqipëria meriton më shumë sesa tangoja e vjetër që do t’i mbajë peng në analet e vjetëruara të politikës së korrupsionit dhe të krizës ekonomike ku e kanë zhytur vendin.”,-tha ai.
I pyetur nëse do të krijojë një parti të re politike, Basha nënkuptoi se kjo do të varet nga vendimi i Gjykatës së Lartë, ku ka bërë rekurs vendimin e Apelit që i dha vulën e Partisë Demokratike Sali Berishës.
“Nëse pazari dhe konspiracioni, jo thjesht kundër demokratëve, por kundër shqiptarëve do ta pamundësojë këtë demokratët euroatlantikë do të jenë në zgjedhje, programi dhe lista e kandidatëve tanë nuk do t’u mohohet shqiptarëve”, tha ai.
Basha shtoi se derisa Gjykata e Lartë të japë vendimin do të vazhdojmë punën, teksa theksoi se “do të hedhim poshtë çdo skenar që shqiptarët t’i mbyllë në ekuacionin e të vjetrës, kryeministri apo ish-kryeministri.”
Basha po vazhdon intensivisht takimet me mbështetësit e tij, pas vendimit të Gjykatës së Apelit për kalimin e vulës dhe logos së PD-së tek Rithemeilimi i Sali Berishës, më 11 qershor të këtij viti.