Nga Ben Andoni
Pyetja dhe dilema më e madhe publike, pas rishfaqjes sistematike të malit me dosje në SPAK dhe gjithë sistemin e drejtësisë, është nëse do funksionojë Drejtësia dhe bashkë me të edhe Shteti i së Drejtës?! Të dhënat e raportit të SPAK për vitin 2023 kanë të dhëna, që të bëjnë të mendosh gjatë: “krahasimisht me 2022 ka një rritje të konsiderueshme të hetimeve të nisura me 139% dhe 20% më tepër çështje të regjistruara në kuadër të korrupsionit por kur vjen puna për masën e sigurimit rezulton një tendencë rënëse me 3% të masës arrest me burg në raport me vitin e kaluar (arrest me burg përbën 49% të masave)” (Muço-Monitor, 2024). Përgjigja nga politika tashmë ka humbur, sepse edhe referimet e dukshme si ai i IPARD-it, apo ato që lidhen me Shëndetësinë dhe Mjekësinë, duket se nuk e bëjnë Ekzekutivin të ndërmarrë masat e duhura, kurse koncepti i “Shtetit të së Drejtës”, duket gati absurd. “Të fortët” megjithë oksigjenin amerikan nga SPAK-ut nuk tranden, kurse Ekzekutivi “Rama” vetëm qesëndis me indiferencë dhe kuptohet ‘suksese’.
Togfjalëshi “Shtet i të Drejtës” është nga më të përdorurit e binomit të politikës PS-PD në rrafshin e ligjërimit të jashtëm dhe më pak atij të brendshëm. E theksojmë të brendshëm, pasi shpesh ata që e përdorin nga politikanët ka pak gjasa ta kuptojnë në thelb, kurse nga ana tjetër është absurdi që na përball realisht dhe e zvetënon krejt kuptimin e “Shtetit të së Drejtës”. Zhvillimi dhe përballja e këtij koncepti përmes respektit ndaj kushtetutës sonë, arnuar disa herë, kanë treguar problematikat e shumta, të cilat teoricienët e Drejtësisë i kanë shpjeguar mirë. “Ndërtimi i një Shteti të së Drejtës është produkt i angazhimit qytetar. Ai nuk përfaqëson vetëm një kontribut të institucioneve shtetërore, por edhe një kontribut të të gjithë aktorëve në vend, duke përfshirë individët, shoqërinë civile, profesionistët e deri tek universitetet e Akademia e Shkencave. Çdo ndihmesë në këtë drejtim paraqitet me rëndësi të veçantë, për faktin se, Shqipëria ndodhet në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, një proces ky, i cili kërkon konsolidimin e shtetit të së drejtës, në vend”, (Zaganjori & Anastasi & Çani, 2011).