Pothuajse 2 muaj nga lirimi I 780 të dënuarve që përfituan nga amnistia penale, 107 të tjerë gjatë kësaj kohe u janë drejtuar gjykatave në vend me të njëjtën kërkesë, lirimin nga qelia.
Kjo e dhënë ju vendos në dispozicion Top Channel nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Në këtë listë bien në sy kërkues për përfitim në rrugë gjyqësore nga amnistia protagonistë që vunë në provë drejtësinë më parë si Fatjon Murati, i cili pas një masakre të ndodhur në lokalin e tij me një të vrarë e pesë të plagosur, u zbulua se ishte arratisur duke thyer masën e arrestit shtëpiak.
Ulje dënimi kërkon edhe oficeri Sokol Canameti i hetuar nga SPAK për korrupsion pasi u zbulua se kishte marrë para për të liruar një të dënuar për drogë, apo edhe shtetas që fituan nga marrëveshja me Anglinë si Rigert Caushi.
Por ndonëse është konsideruar si një nga amnistitë më gjithëpërfshirëse, vazhdon të mbetet e paqartë dhe jo transparente zbatimi i saj. Kryesisht në qindra çështje që po pushohen në gjykata dhe të gjitha prokuroritë sipas kategorisë së veprave që amnistohen. Si edhe për efektin që pati kjo amnisti mbi hetimet e SPAK.
Problemi i parë që u zbulua nga amnistia është mos zbardhja e vendimeve nga gjyqësori shqiptar, për të cilin të dënuarit kërkojnë në gjykatë zbatim të saj.
Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë deklaron për TCH se nuk e ka finalizuar ende kontrollin bazuar në ankesat e të burgosurve.
Problem tjetër që po vërehet është pushimi i veprave nën hetim edhe nga SPAK, siç ai që njoftoi javën e kaluar kur për shtatë persona u pushua hetimi për mos deklarim të të ardhurave në kufi.
Nga ana tjetër në Gjykatën e Apelit po vërehet tërheqje nga ankimimet e të burgosurve që sipas krimit që kanë kryer përfitojnë nga amnistia. Por edhe për këtë fenomen nuk disponohen të dhëna zyrtare dhe as të përafërta për shkak të qëndrimeve të ndryshme që mbajnë prokurorët.
Një ndër to ishte edhe rasti i Enklid Mullës, i dënuar nga shkalla e parë me katër muaj burg për posedim të kartëmonedhave false. Por kur apeli shpalli datën e procesit, ai u tërhoq nga çështja me duke kërkuar lënie në fuqi të vendimit të shkallës së parë. Prokuroria megjithatë e dërgoi në burg për dy javë derisa një gjykatë tjetër vulosi urdhrin se qytetari sipas ligjit përfitonte nga amnistia.