Nga Alba Malltezi
Të gjithëve na ka mbetur në mendje emri i ish ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Do të jetë e vështirë të harrohet jo vetëm si emër, por më shumë për rezistencën e tejskajshme të një gruaje ndaj përbaltjes më të egër të organizuar ndonjëherë ndaj një diplomati të huaj ne Republikën e Shqipërisë. Një organizim perfekt e në bateri baltë hedhësish që kalonin me një sinkronizim harmonik sa nga politikanë të opozitës se Berishës, te mediat pranë tij, te analistët me një eksperiencë edhe të gjatë në median e shkruar dhe televizive. Është interesante të mësohet tani, ndërkohë që ambasadorja Yuri Kim është në Uashington DC, se si e përjetoi në të vërtetë atë “egërsi” tipike.
Albanologu i mirënjohur kanadez Robert Elsie (sot prehet në Theth), për gazetaren Rudina Xhunga, pas pyetjes së saj se përse nuk jetoi asnjëherë në Shqipëri, u përgjigj: Sepse unë jam shumë i brishtë dhe ju jeni shumë të egër! Ju dini të mbroheni, por unë këtu jam si një lepur..)
Pra, ne dimë të jemi tepër të egër me ata shqiptarë, por sidomos me ata të huaj, që “nuk na shkojnë pas midesë”. Dhe ambasadorja Yuri Kim përkoi në Tiranë në një kohë që Shtetet e Bashkuara shpallën “non grata” më të egrin e të egërve në lëmin e mendimit ndryshe, në atë pikë që ai nuk di se ç’është mendimi ndryshe, nuk e ka idenë se ç’do të thotë Demokraci. Por Yuri Kim me siguri sot e ka një përgjigje për baltën e koordinuar të atyre muajve: Nuk më keni prekur as edhe një grimcë! Jeni asgjë para misionit dhe përkushtimit tim. Yuri Kim, si e huaj, tregoi se nuk ishte aspak “lepuri”. Dhe kjo politikë e aleatëve tanë më të ngushtë e bëri diferencën dhe vazhdon ta bëjë këtë diferencë edhe tani në Shqipëri, edhe pse disa bëjnë sikur nuk e kuptojnë.
Në këtë pjesë të dytë të intervistës me ish zv/kreun e KLD-së, Kreshnik Spahiu, e pyetëm atë për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusisë dhe Bashkimit Europian në Shqipëri, duke qenë Spahiu i angazhuar gjatë karrierës së tij dhe me organizata të rëndësishme ndërkombëtare që kanë vepruar në Shqipëri. Pra si është sot marrëdhënia jonë me këta të huaj dhe shtetet që përfaqësojnë tek ne.
9. Shtetet e Bashkuara të Amerikës festuan në Tiranë, me 27 qershor 248 vjetorin e Pavarësisë së tyre (festën e 4 korrikut) në Pallatin e Kongreseve. Që nga fillimi i viteve ’90 e deri më sot, por sot përherë e më fort, çdo “frymëmarrje” e ambasadës së “Rrugës së Elbasanit” është konsideruar shumë e rëndësishme në Shqipëri si për miq, ashtu dhe për armiq të saj. A mbeten SHBA-të motori kryesor i normalizimit të jetës demokratike në vend, përmes ambasadorëve të tyre këtu?
“SHBA është garanti i sovranitetit, pavarësisë dhe paqes ne shume vende të botës. Pa SHBA nuk do kishte shtet Kosovar. Pa SHBA nuk do kishte Ukraine. Pa SHBA nuk do ekzistonit shume shtete. Pa SHBA edhe BE do ishte e pasigurt. Kombe të vegjël apo shtete të dobëta si Shqipëria e kanë sovranitetin dhe paqen e kushtëzuar nga partnerët strategjikë. Pa SHBA, Shqipëria do rrëshqiste në luftë civile në 1997. Ky fakt është i pamohueshëm.
Shqiptarët janë kombi më pro amerikan në botë dhe Amerika është shteti më pro shqiptar në Ballkan. Ekzistenca jonë varet nga Amerika. Më gjeni një popull në botë që Amerika t’i njohë si dy shtete me një popullsi të vogël 5 milionë banorë të dyja si Shqipëri-Kosove? Kjo ka ndodhur vetëm se Amerika kërkon fuqizimin e shqiptarëve. Në planetin tonë ka kombe me 100 milionë banorë që s’ju njihet as e drejta shtet-formuese dhe as autonomia lokale, dhe Amerika nuk i përkrah. Duhet të kuptojmë që SHBA na ka privilegjuar në raport me të tjerët.
Korriku do jetë një kapitull i ri. Ardhja e ambasadorit të ri amerikan David J. Kostelancik do hapë një fazë të re. Ai është nivel i lartë përfaqësimi dhe ka lidhje të forta me Shqipërinë. Ardhja e tij është mision historik për ndërrimin e elitave politike në Shqiperi, thyerjen e establishmentit vjetër, ndëshkimin e zyrtarëve të lartë dhe mbështetjen e elitave të reja politike. Ata që janë gëzuar kur u largua Yuri Kim, do bëhen shumë pishman kur të përballen me David J. Kostelancik. Pas disa muajve Berishës dhe Metës do ju duket lule Yuri Kim duke krahasuar me rolin aktiv dhe pa kompromis që do ketë David J. Kostelancik.
10. Ndryshe nga SHBA-të, prania ruse dhe influenca Ruse në vend, në fusha të rëndësishme të jetës si politika, media, drejtësia, ka qenë përherë diçka pa zhurmë: Pa vizita zyrtare, pa deklarata zyrtare, pa debate publike. Si një vend tipik lindor, me të kaluar staliniste ashtu si dhe ne, transparenca e marrëdhënieve dhe e influencave mbetet përherë mister, në vend të një detyrimi ligjor ndaj popujve dhe votuesve filozofia lindore mbetet ajo e lënies së hapsirave “fantazisë dhe konspiracionit”. Mendoni se ka realisht një luftë të nëndheshme ruso-amerikane në Shqipëri e në rajon?
“Pa dyshim që lufta Ruse-Amerikane në Shqipëri është e ftohtë. Himara është një nga sheshet e betejës. E keni parë që DASH mbështeti prokurorinë shqiptare 24 orë pasi u arrestua Beleri? E keni parë që Uashingtoni, Londra, Berlini nuk e mbështesin Athinën, në betejën për Himarën dhe Belerin?
Himara dhe bregdeti i saj nga Vlora ne Sarande është i vetmi rrip bregdetar që spiunazhi rus nuk ka hyrë në Mesdhe nëpërmjet investimeve në turizëm, nëpërmjet oligarkëve dhe mafies ruse. Shqipëria e ardhur nga komunizmi ka shumë falanga dhe agjentë rusë. Rusia ka ndikim të fortë në gjithë shtetet e ish bllokut sovjetik përfshi dhe gjysmën e Gjermanisë. Rusia ka ndikim në gjithë rrjetin e kishave orthodokse Greqi, Serbi, Maqedoni, Bullgari.
Rusia ka blerë dhe korruptuar 20% të partive europiane dhe euroskeptiket. Tre parti në Gjermani direkt apo indirekt figurojnë me lidhje dhe financime ruse. Përvec Gjermanise ata kane korruptuar parti ne France, Itali, Austri, Hollande, Belgjike etj. Pyetja shtrohet: Kur kanë korruptuar politikën gjermane apo italiane, a mendoni se partitë shqitare kanë refuzuar miliona apo miliarda rubla? Jo harrojeni….. Moska ka kontrroll mbi disa parti në Shqipëri, media, gazetarë, deputetë, biznese etj.
11. Shqipëria po vazhdon përpjekjet e saj për Integrimin në familjen e Bashkimit Europian. A na përmirëson ky rrugëtim në përmirësimin e legjislacionit tonë apo Shqipëria realisht rrezikon shndërrimin në një “narkoshtet” dhe në një vend me demokraci latinoamerikane apo të Lindjes së Mesme e të Largët?
“Jo jo nuk e besoj unë këtë përrallë. Kjo është propagandë anti-shqiptare. Për këtë analizë kam shumë argumente profesionalë sepse kam studiuar 10 vjet për “krimin e organizuar”:
-Së pari Shqipëria nuk ka mafie klasike si Italia që përshkruan RAI 3, por vetëm banda dhe organizata kriminale. Në Shqipëri nuk ka familje mafioze qe të kenë strukturim me rregulla, norma, parime, trashëgimi, anëtarësime, hierarki, ushtri dhe sistem “taks-mbledhes” për bizneset. Ne Itali ka zona ku biznesi 100% i paguan gjobe për siguri mafies. Kjo nuk ndodh në Shqipëri.
-Së dyti, organizatat kriminale shqiptare në 70% tyre e ushtrojnë aktivitetin jashtë Shqipërisë, ne Angli, Spanje, Belgjike, Holandë, Gjermani, Amerike Latine dhe për këto s’ka përgjegjësi shteti shqiptar.
-Së treti, sasia e pastrimit të parave të mafies italiane apo të huaj në Shqipëri është e papërfillshme sepse Shqipëria nuk quhet treg i madh as në çmime dhe as në konsumator. Psh: vetëm Ndrageta një nga familjet mafioze italiane ka qarkullim vjetor në Gjermani 100 miliard euro sa GDP e Shqipërisë. Kjo vetëm nga një organizate. Kjo ndodh sepse mafia e huaj ka interes çmimet dhe tregun europian dhe jo shqiptar. Një apartament ne Gjermani, Angli apo France ata e shesin me 20.000 euro/meter2, ndërsa duke ndërtuar në Shqipëri duhet ta shesin me 3000 euro/meter2.
-Së katërti, sasia e drogës që qarkullon dhe konsumohet në Europë është e pakrahasueshme me Shqipërinë, por me një ndryshim: Ata nuk shajnë shtetin e tyre si Kolumbia e Europes, ndërsa ne i nxjerrim namin vetes. Droga që hyn në portet e Spanjës, Portugalisë, Francës, Gjermanisë, Holandës apo Belgjikës është oqean përballë gotës me ujë në portet shqiptare.
-Krimi shqiptar është i zhurmshëm, por jo i strukturuar dhe jo i infiltruar. Psh: Mafia Vietnameze, Kineze, Kurde, arabe, turke, çeçene janë shumë e shumë herë më të mëdha, të pasura, të organizuara, të futura në biznesin europian sesa krimi shqiptar i cili thjesht bën zhurmën e burive me Ferrari apo Lamborgini si zengjinët e rinj rrugëve të Londrës”.
12. Jetoni prej disa vitesh mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. A ka luajtur një rol transformimi kjo zhvendosje për ju dhe a ka ndryshuar këndvështrimi ndaj Shqipërisë? Si ndikon jeta në një vend të madh e të zhvilluar si Gjermania në ndryshim nga jeta e mëparshme vetëm në Tiranë?
“Unë ndjehem Kreshnik tjetër. Në Gjermani po përjetoj një jetë të re pas rrezikut që kalova nga vaksina dhe Covid. Falënderoj Zotin që për dhjetëra arsye ndodhesha këtu dhe sot kam një jetë të dytë falë shërbimit mjekësor gjerman. Jam i lumtur që prej 7 vjetësh ushtroj profesionin tim si jurist, dhe kjo falë eksperiencës dhe lidhjeve me shoqatat, korporatat dhe organizatat ndërkombëtare. Unë punoj shumë, sepse e kam pasion profesionin. Pasdite kthehem nuk pushoj, por lidhem online me Shqipërinë. Unë fle shumë pak 4 ose 5 orë. Kjo është magjia e globalizmit në epokën e digjitalizimit.
Pasi kthehem nga puna, unë jam aktiv në mbrëmje me Shqipërinë më shumë se dhjetëra deputetë, ministra apo gazetarë që jetojnë në Tiranë. Unë jam treguesi, që distanca nuk ekziston nëse ti e do vendin tënd. Unë nuk e bëj për karrierë sepse e kam mbyllur. Unë kam refuzuar këto vite dhe do të refuzoj çdo ofertë postesh që më vjen nga Tirana zyrtare. Unë e dua lirinë, thjeshtësinë, lëvizjen, profesionin. Politika ishte “burg” për mua. Unë jam tipi që dua të jetoj si qytetar i lirë dhe të fle i qetë. Unë bëj gjumin më të mirë dhe më të qetë se Rama, Meta dhe Berisha. Nga këtu kam një optikë tjetër. Fatmirësisht i jam larguar kënetës politike dhe po ju them me bindje të plotë: Jeta larg politikës është e mrekullueshme. Mjerë kush bëhet skllav i saj. Politika në Shqipëri të zhvesh nga integriteti. Ata duket sikur kanë çdo gjë, por në thelb s’kanë asgjë.”
13. Çfarë do t’u thonit sot djemve dhe vajzave shqiptare që ëndërrojnë dhe ndërmarrin rrugën për t’u bërë juristë?
“Juristëve të rinj do t’u thoja se pas çdo juristi mund të ndërtohet figura e një shtetari. Këshilla ime jo vetëm për rininë shqiptare është: Në jetë qoftë edhe një herë duhet ta provoni eksperiencën e të punuarit, studiuarit apo jetuarit jashtë Shqipërisë. Europa dhe Amerika janë magjike. Çdo profesionist duhet disa vite të marrë ç’të mundi nga Europa për t’u formuar. Izolimi të lë shumë prapa dhe mbetesh i vogël në çdo aspekt. Fatmirësisht jetojmë në epokën e shoqërisë hapur. Mos harrojmë të parët tanë janë vrarë nëpër kufij vetë që të arratiseshin drejt perëndimit. Ndryshe nga ata që e quajnë fatkeqësi, unë e quaj magji lëvizjen e lirë.
Lëvizja jashtë është integrim, zhvillim, kulturë, informacion, eksperiencë, hapje, financim apo kontakte. Ne juristët kemi vizion tjetër. Po si mund jesh jurist i madh nëse gjithë jetën mbyllesh, studion, punon dhe jeton në një fshat. Të drejtat dhe liritë janë universale. Juristi duhet të fluturojë larg, lart dhe kap qiellin që të rritet. Unë e kam urryer gjithmonë faktin që njeriu gjithë jetën të punojë në një vend pune. Monotonia është vdekja ime. Një ditë të gjithë do kthehemi në Atdhe për të ndërtuar një Shqipëri tjetër dhe të bashkuar. Ajo ditë nuk është e largët…Faleminderit!”/ Shqiptarja.com