Policia e Tiranës ka vënë në pranga djalin e Nehat Kullës, gjeneralit të bandës famëkeqe në Tiranë.
Robert Kulla 43 vjeç u arrestua për veprat penale “Dhuna në familje”, “Vetëgjyqësia”, dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Ky shtetas dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së babait të tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtje dhe me vetëgjyqësi i ka thyer çelësin e bravës.
Nehat Kulla i njohur si Gjenerali ose i forti i 1997-ës ndërroi jetë ne vitin 2020. Kulla u nda nga jeta në moshën 67-vjeçare.
Pak kohë para se të vdiste Nehat Kulla la dhe qelinë e burgut të Fushë-Krujës, pas dënimit me 20 vjet burg për vrasjen me paramendim të shtetasit Halim Gjuzi, ish-shoferi i ish-zv/ministrit të Arsimit, Halit Shamata. Kulla e kreu të gjithë burgimin, pasi fitoi disa herë ulje të dënimit.
Nehat Kulla, i njohur të gjithë si “Gjenerali” i Kinostudios e Tufinës është i njohur për bandën që kishte krijuar në vitet 1997-1998 dhe veproi në fshatin Tufinë në Tiranë. Ky grupim i tij u krijua pas trazirave të vitit 1997.
Teksa Tirana dhe e gjithë Shqipëria digjej nga lufta civile që po zhvillohej, ai së bashku me familjarë e miq të tij mbanin të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë.
Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mbajtën repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën “Gjenerali”, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë.
Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të Kinostudios dhe Tufinës qetësinë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij. Banda e tij kreu shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme.
Nofka “Gjenerali”
Nehat Kulla, ish-i forti i Tiranës në vitin e mbrapshtë 1997, do të vetëquhej Gjenerali pasi kishte grabitur një kamionçinë ushtarake tip Chevrolet me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake.
Ai shoqërohej gjithmonë nga një eskortë e armatosur me automatikë dhe vetë asnjëherë nuk e lëshonte automatikun nga dora
Njoftimi policisë
Tiranë/Arrestohen 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 kapën shtetasin në kërkim P. Ç., 64 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 1 vit burgim për veprën penale “Ngacmimi seksual”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin R. K., 43 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Vetëgjyqësia”, dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. Ky shtetas dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së babait të tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtje dhe me vetëgjyqësi i ka thyer çelësin e bravës.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasit:
– A. Ç., 29 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, është përplasur me bordurën anësore të rrugës dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale;
– A. Sh., 41 vjeç, banues në Kamëz, dhe M. G., 37 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kapën duke drejtuar automjetet në gjendje të dehur;
– A. B., 54 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, është përplasur me një automjet tjetër dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë.