Vetëm pak javë në krye të bashkisë së Himarës, kryetarja e komanduar Blerina Bala ka dhënë dorëheqjen.

Bala ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetares së komanduar në bashkinë e Himarës, duke deklaruar se arsyet lidhen me çështje personale.

“Ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar që mu dha mundësia të drejtoja Bashkinë Himarë për këtë periudhë aq sa të vështirë dhe të mrekullueshme për mua. Gjatë kësaj kohe jam përpjekur të punoj me përkushtim dhe e palëkundur, për të trajtuar dhe zgjidhur çështjet që janë paraqitur para meje.

Sidoqoftë për shkaqe personale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen time të plotë, me keqardhje ju njoftoj pamundësinë time për të vazhduar detyrën e Kryetares së Bashkisë Himarë që mu besua dhe nga Këshilli Bashkiak Himarë. Me këtë letër, sot zyrtarisht paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozicioni i Kryetares së Bashkisë Himarë.

Dua të shpreh falenderimet dhe mirënjohjen më të thellë stafit të Bashkisë Himarë, Këshillit Bashkiak Himarë dhe cdo banori të Himarës për mbështetjen dhe për vlerat njerëzore që kemi ndarë gjatë kësaj periudhe. Përulësisht kërkoj të pranoni mirënjohjen time të sinqertë, për bashkëpunimin dhe për cdo gjë që kemi arritur së bashku”, shkruan Bala.

Kujtojmë se ky vendim vjen pak ditë pasi kreu i qeverisë Edi Rama ishte në Himarë, ku pati edhe një mbledhje me stafin e bashkisë. Bala u zgjodh në krye të bashkisë pasi Jorgo Goro u arrestua me urdhër të SPAK.

Mbetet për t’u parë se cili do të jetë drejtuesi i ri i kësaj bashkie, ndërsa kryetari i zgjedhur i saj, Fredi Beleri ndodhet në burg.