Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e ftuar në emisionin në Top Talk në Top Channel këtë të enjte komentoi përfundimin e mandatit të ish-kryeministrit Sali Berisha.
“As më shqetëson as më ngushëllon se si në ballkon si në Kuvend apo në vend tjetër, Sali Berisha do bëjë Sali Berishën, ajo që është e qartë është që ndjekësit e tij janë gjithnjë e më të paktë më të dëshpëruar dhe pa asnjë perspektivë”, tha Spiropali.
Spiropali gjatë intervistës komentoi edhe vendimin e Gjykatës së Apelit e cila i dha vulën e Partisë Demokratike ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Është detyra ime për të zëvendësuar në rastet që kryeministri s’mund të marrë pjesë në parlament, unë nuk i shmangem as përballjeve apo politikave që përfaqësoj, këtë e bëj pa zell, me vendosmërinë e njeriut që beson në atë që bën, janë vështirësi që vijnë me detyrën dhe janë të pritshme me njerëz që janë mësuar të mos e frenojnë gjuhën që me kundërshtarë politikë t’i rrafshojnë dhe sulmojnë, pa pyetur as për kode as për gjë tjetër. Unë nuk i fshihem përballjeve, për një grua është e vështirë të përballet në Kuvend. Unë e kam marrë parasysh që në ditën e parë këtë lloj beteje.
Vetëm dashuri s’bëhet fjalë në këtë marrëdhënie, s’mund të kemi as respekt, kjo për ne është e qartë, është vijë ndarëse mes nesh dhe aty s kemi kompromis, sa duhet të pranojmë që Saliu fitoi një betejë për të qeverisur opozitën, fitoi betejën e qeverisjes së opozitës. Unë nuk komentoj vendimet e gjykatave, por që sot ka humbur luftën për qeverisjen e këtij vendi, nuk qeveris dot Shqipërinë që e ka lënë shumë pas, nuk kanë pikë besueshmërie”, tha Spiropali.