Kundërshtimi i vendimit të Apelit në Gjykatën e Lartë nga Lulzim Basha nuk pengon procedurat për marrjen nën administrim të PD nga pala e Sali Berishës. Këtu përfshihen edhe financat e partisë, për të cilat do të kërkohet kontroll i menjëhershëm. Këtë e konfirmoi në emisionin “Pa Censurë”, nënkryetari demokrat Gazment Bardhi.
“Në lidhje me financat, nuk duhet të ketë asnjë lëvizje nga ata që i kanë administruar deri tani. Madje, do të ketë një auditim të plotë të mënyrës sesi janë përdorur fondet e partisë nga individë që, ligjërisht, nuk duhet ta gëzonin këtë të drejtë”- tha Bardhi, i cili identifikon Lulzim Bashën si njërin nga këta individë.
“Zoti Basha ka përdorur financat e partisë me një vërtetim gjykate, bazuar në zgjedhjen e 2021-shit. Politikisht dhe ligjërisht, ai e kishte humbur fuqinë, pasi zoti Basha dha dorëheqjen në 2022-shin. Përdorimi i atij vërtetimi për të shpenzuar para, pra keqpërdorimi i atyre fondeve pa respektuar vullnetin e të gjithë anëtarëve, do të kalojë në një auditim të brendshëm të PD”- tha Gazment Bardhi, i cili, gjatë intervistës bëri dhe një apel për Bashën në lidhje me financat e PD.
“Nxis të mos ketë asnjë veprim të mëtejshëm, sepse do të ishte jo vetëm politikisht, por edhe ligjërisht e dënueshme. Nuk duhet të ketë asnjë veprim me fondet e PD”- theskoi Gazment Bardhi në RTSH.
Për vitin 2024, KQZ i ka dhënë PD-së rreth 1 milionë euro, ndërkohë llogaritet që, deri kur Gazment Bardhi u shkarkua nga Lulzim Basha në mesin e vitit të kaluar, në arkën e partisë të kenë qenë edhe rreth 1.5 milionë euro të tjera.