Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar lidhur me përdorimin e simboleve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë protestës disaditore në Tiranë, duke shprehur shqetësim për atë që e cilëson si përpjekje për manipulim politik dhe instrumentalizim të trashëgimisë së luftës çlirimtare.
Përmes një deklarate publike, veteranët theksuan se është e papranueshme që në emër të UÇK-së të paraqiten individë apo grupe që, sipas tyre, kanë tentuar ndër vite të minimizojnë ose të zbehin vlerat e luftës çlirimtare.
“Është e papranueshme dhe fyese për dinjitetin e luftës sonë që në emër të UÇK-së të flasin dhe të paraqiten individë apo grupe që për vite me radhë kanë tentuar ta zbehin, ta devijojnë dhe t’ia ulin vlerën luftës sonë çlirimtare”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK ritheksoi se kauza e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të përdoret si instrument i agjendave politike të ditës apo për interesa personale dhe partiake.
Në deklaratë, organizata u bëri thirrje organizatorëve të protestës në Tiranë që të garantojnë integritetin e aktivitetit dhe të mos lejojnë, sipas saj, asnjë përpjekje për manipulim, keqpërdorim apo vetëdeklarim të rremë në emër të ish-ushtarëve dhe veteranëve të luftës.
“UÇK-ja është pjesë e historisë së lirisë dhe sakrificës së popullit tonë dhe duhet trajtuar me respekt, jo për përfitime politike”, theksohet në përfundim të deklaratës.
Reagimi vjen në kohën kur protesta e nisur prej disa ditësh në kryeqytetin shqiptar ka nxitur debate pas sopekulimeve se Dritan Goxhaj ka qenë pjestarë i UCK.










