Korporata Elektroenergjetike Shqiptare edhe këtë vit ka nisur punën për pastrimin e liqenit të Komanit nga mbetjet të cilat depozitohen përmes prurjeve që vijnë nga lumenjtë. Janë tre anije të KESH të cilat po punojnë për grumbullimin dhe largimin e mbetjeve.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe Zëvendësministrin për fushën e energjisë në MIE, Ceno Klosi, ju bashkuan aksionit të pastrimit të ndërmarrë nga KESH. Gjithashtu, edhe grupe të ndryshme vullnetare kanë dhënë kontributin e tyre në këtë nismë, për të mbajtur pastër një ndër zonat e cila po vizitohet gjithmonë e më shumë nga vizitorët.
Zv.Kryeministrja Balluku solli në vëmendje se masat e marra nga pushteti vendor në Shqipëri, veçanërisht bashkitë që janë pranë ujërave larës, kanë dhënë një efekt të madh duke ndikuar në përmirësimin e pastërtisë së ujërave. Sa i takon situatës në liqenin e Komanit, Balluku bëri të ditur se është arritur një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për të ulur nivelin e mbetjeve të cilat përmes lumenjve përfundojnë në liqene.
“Kemi rënë dakord për një aksion të përbashkët. Pjesa e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Mjedisit të Kosovës do të vendosë në dispozicion fondin për vendosjen e një rrjete, e një teknologjie të lartë padyshim, e cila do të menaxhohet nga pala shqiptare, KESH, për të bërë të gjithë ndalesën e parë të mbetjeve. Patjetër do ketë edhe kalime të materialeve që janë më të vogla, por të paktën të gjitha këto mbetjet e ngurta të cilat ne i gjejmë në brigjet e dy liqeneve të Fierzës dhe të Komanit do të ndalojnë”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se KESH me anijet e saj do të vijojë punën për pastrimin e të gjithë liqenit, duke bashkëpunuar edhe me grupet e vullnetarëve, teksa theksoi se falë masave që do të merren synohet që vitin e ardhshëm të kemi më pak mbetje dhe papastërti në liqene.
Ministrja Kumbaro duke vendosur theksin tek rëndësia që zona ka marrë duke u kthyer në një destinacion të mirëfilltë turistik tha se është e rëndësishme që krahas sensibilizimit është e nevojshme bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës duke qenë se shumë prej prurjeve të lumenjve vijnë nga Kosova.
“Kjo situatë që shohim në Koman na mblidhej në liqenin e Ulzës dhe të Shkopetit. Kjo histori ka marrë fund sepse është bërë një mobilizim shumë i madh i mbetjeve të tokë. Janë mbetjet nga toka që përfundojnë nëpër liqene kështu që përveç sensibilizimit shumë të madh që duhet bërë çdo turisti, çdo banori, pa diskutim që na duhet një bashkëpunim me kolegët tanë të Qeverisë së Kosovës për ta parandaluar që në burim”, tha Kumbaro.