Sistemi i ri i faturimit të energjisë elektrike për subjektet që operojnë si furra buke ka gjetur dakordësinë e të gjithë aktorëve. Sistemi i ri bazohet në tipologjinë e secilit prej subjekteve, në varësi të aktivitetit që ato ushtrojnë.
Janë afro 2600 subjekte në të gjithë vendin që preken nga ky sistem i ri, të cilat janë ndarë në tre kategori, subjektet që operojnë vetëm si furra buke, ato që operojnë si furra buke, por tregtojnë edhe produkte pastiçerie, si dhe subjektet që janë të integruara ku krahas operimit si furrë buke, tregtojnë edhe produkte pastiçerie, përfshirë edhe bar-kafe.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Administratorin e OSHEE, Enea Karakaçi, vizatuan një prej subjekteve i cili krahas furrës së bukës operon edhe në shitjen e produkteve të pastiçerisë si dhe bar-kafe, i cili me skemën e re do të faturohet me një çmim prej 12 lekë për kilovatorë.
Administratori i OSHEE sqaroi se pas miratimit të skemës së re, grupet e punës kanë nisur verifikimet në terren për të bërë ndarjen e subjekteve sipas tre kategorive, teksa theksoi se deri më tani i gjithë procesi ka gjetur mbështetjen e të gjitha subjekteve.
“Edhe nga ana e subjekteve të furrave të bukës ka pasur një bashkëpunim maksimal. E kanë kuptuar procesin. E dinë që është për të mirën e tyre. Ato që janë subjekte të mëdha, patjetër e dinë që kanë një aktivitet shumë më të gjerë dhe ndoshta mund të paguajnë diçka më tepër, por të gjitha subjektet e tjera, ato që kanë vetëm furrë buke apo furrë buke dhe pastiçeri dalin të fituara”, tha Karakaçi.
Ministrja Balluku e cilësoi skemën e re të faturimit si të drejtë dhe që i jep fund një problematike shumëvjeçare. Gjithashtu nxit konkurrencën brenda sektorit. Balluku u shpreh më tej se përmes kësaj skeme nuk do të ketë asnjë rritje të çmimit të produkteve.
“Të gjithë do të trajtohen në mënyrë të barabartë, do trajtohen në mënyrë të rregullt, sepse ne nuk duhet të harrojmë që energjia përgjithësisht shkon mbi 20% të kostos së një produkti dhe duke shkuar mbi 20% të kostos së një produkti është shumë i rëndësishëm. Ndaj kur ka një trajtim të barabartë në treg dhe një trajtim të drejtë edhe konkurrenca mes palëve do jetë e drejtë sepse këtu ishte problemi konkurrencës. Kështu që kemi stabilizuar njëherë e mirë të gjithë këtë proces, duke arritur dhe duke pasur transparencë përsa i përket matjes mujore”, u shpreh Balluku.
Deri më tani janë verifikuar nga ana e grupeve të OSHEE mbi 1300 subjekte, për të bërë kategorizimin e tyre. Me skemën e re furrat e bukës, të cilat tregtojnë vetëm bukë, do të faturohen me çmimin 7.6 lekë për kilovatorë, ato që krahas bukës tregtojnë edhe produkte pastiçeri, do të kenë një çmim prej 9.5 lekë për kilovatorë, ndërsa subjekte që krahas bukës tregtojnë edhe produkte pastiçeri, si dhe funksionojnë edhe si bar- kafe do të faturohen me çmimin 12 lekë për kilovatorë.