Nga Jakin Marena
Zgjedhjet për në Parlamentin Evropian kanë përfunduar dhe shumë ‘mite’ tashmë janë rrëzuar, ndërkohë që ‘mite’ të tjera janë ngritur. Me apo të drejtë.
Partitë e ekstremit të djathtë pësuan një rritje drastike në këto zgjedhje, duke shkaktuar edhe ‘viktimat’ e para politike në qeverisjet e vendeve anëtare të BE.
I pari që dha sinjalin e tronditjes së thellë politike ishte presidenti i Francës Emanuele Macron, i cili pësoi një humbje rrënuese përballë rivales radikale dhe anti-evropiane Mari Lë Pen.
Macron, në vend që të priste, në ardhjen e ditëve më të mira dhe momentin kur votuesi francez të kthjellohej për votën që kishte dhënë pro një partie radikale, anti-evropiane e pro ruse, i ra shkurt, shpërndau asamblenë kombëtare dhe shpalli zgjedhjet e parakohëshme deri në fund të këtij muaji. Pra Macron lozi ‘fit a fit’, duke sakrifikuar tre vite mandat në dizpozicion, për të mos pritur tmerrin pa fund, por për të provuar nëse ka shpëtim apo dhe një fund të tmerrshëm.
Rrënim pësuan në këto zgjedhje dhe të majtët në qeverisje të Scholz, i cili zbriti në vendin e tretë përsa i përket numrit të votave dhe eurodeputetëve në Gjermani. Gjithçka në favor të partive ekstremiste. Por ama kancelari gjerman po i reziston kërkesës së kundërshtarëve politikë për dorëheqje dhe deklarimin e zgjedhjeve të parakohëshme. Po i reziston dhe ironisë së Rusisë, me të cilën po i përcjell zgjedhjet evropiane. Normal, Rusia s’ka probleme të tilla, ka gati 20 e ca vite që fiton më ato mënyrat e veta Putin, dhe kush e kundështon, Siberia afrohet “një hap”.
Tronditje pësoi dhe Spanja, ku e majta humbi mjaft peshë në Parlamentin Evropian, pasojë e të cilës ishte dhe dhënia e dorëheqjes nga drejtimi i partisë aleate në qeverisje i lideres së saj njëherësh dhe zv.kryeministre e parë e këtij vendi.
Fituan në qeverisje të djathtët e Melonit, të Mitsotakisit, të majtët e Tusk në Poloni dhe mbi të gjitha humbja e pro-evopianistëve nuk ishte e asaj shkalle sa të rrezikohej dominanca e tyre në Parlamentin Evropian, por dhe të rrezikohej zgjerimi i BE.
Duket se sërish Ursula von der Leyen do të jetë në krye të Komisionit Evropian për një mandat të dytë si Presidente. Ndërkohë që “çelësin” e funksionimit, me sa duket do ta ketë Giorgia Meloni e Italisë, një e djathtë pro-europianiste, që mbështet luftën e Ukrainës kundër Rusisë. Por që do të shënojë dhe përparësitë e veta duke i dhënë një tol akoma më të fortë Italisë në raport me vendet e tjera anëtare të BE.
Fitoi dhe Kyriakos Mitsotakis një deputet më shumë, pikërisht progonatasin e ‘transfuzuar’ në grek, Fredi Bejleri, pinjoll nga bejlerët e hershëm të Tepelenës. Dikush mund të thotë se ka dhe një copë Shqipëri të përfaqësuar në Parlamentin Evropian. Aspak. “Gjakprishurit” s’përfaqësojnë asnjë komb, madje as atë që pretendojnë se e përfaqësojnë.
Beleri pasi u kap në fragrancë duke blerë vota dhe u burgos tre ditë para zgjedhjeve vendore të vitit të kaluar, arriti që me pak vota, sa gishtat e dorës, të quhej kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës. Kishte garuar përballë një të ‘mbaruari’ në fakt. Por Beleri kishte siguruar dhe vota nga Greqia, pak me mbështetje, shumë me blerje dhe premtime për karta greke, megjithëse vijon të jetë në burg dhe pret vendimin e Apelit për të parë më në ‘detaje’ fatin e tij politik.
Megjithatë fitoi mandatin e deputetit në Parlamentin Evropian, i kandiduar nga Mitsotakis në listën e partisë që ai drejton, Demokracia e Re. Pasi humbi ‘betejën’ deri më tani me drejtësinë e re shqiptare, prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm me mbështetje amerikane dhe të BE nuk lëvizën nga ‘sinorët’ e drejtësisë, pasi u zemërua shumë me kryeministrin Edi Rama, kërcënoi dhe me veto për Shqipërinë në procesin e integrimit në BE, duke deklaruar se rruga për në Bruksel kalon nga Athina, pasi bënë të dërguarit e tij zyrtarë e partiakë vizita pafund në burgun e Rrogozhinës, më në fund Mitsotakis e ‘gjeti’ zgjidhjen, e kandidoi Belerin për eurodeputet. Dhe fitoi. Mblodhi votat e Agimit të Artë, parti ekstremistë e nxjerrë jashtë ligjit nga vetë Greqia, dhe Beleri doli i katërti në listën fituese. Belerin fitoi më tepër nga mandati i kaluar i Demokracisë së re Kyriakos Mitsotakis, dhe një grek allasoj mori, nga Progonati madje.
Duket si një hakmarrje e Mitsotakis ndaj vendeve të BE, të cilat s’ia vërshëllyen për kërcënimet që bëri ndaj Shqipërisë, kërcënimin përmes vetos për integrimin nëse nuk lirohet urgjent Beleri nga burgu dhe të betohet si kryetar i bashkisë së Himarës. Hakmarrje që u përkthye në dërgimin në Parlamentin Evropian të një hidrauliku nga profesioni, të një burgaxhiu funksional dhe të një të dënuari tre herë, një prej tyre dhe në Greqi, për armëmbajtje pa leje. Ndërsa në Shqipëri për pjesëmarrje në vrasjen e ushtarakëve shqiptarë në postën kufitare të Peshkëpisë dhe fyerje të simboleve kombëtare shqiptare. Nuk duhej të ishte kandiduar në fakt.
Për hir të së vërtetës, përfaqësimi i Greqisë në Parlamentin Evropian me Bejlerin është ulje e ‘stekës’ nga ana e Athinës, përkundër historisë që ajo trashëgon. Në të vërtetë ka humbur Greqia me Belerin, duke dërguar në Bruksel këtë nivel të ulët përfaqësimi. Nuk e dimë se çfarë do bëjë Bejleri në Parlamentin Evropian, nëse ia del të lirohet nga burgu e të bëjë betimin.
Nëse drejtësia e re shqiptare vijon standardin e bërjes së punës së saj, njësoj për të gjithë. Pra dhe për Bejlerin blerës votash dhe kryetar i zgjedhur i bashkisë së Himarës, dhe për Bejlerin në burg e të zgjedhur si eurodeputet në emër të Greqisë. Krimin elektoral e ka bërë në Shqipëri në fakt. Aty gjykohet me ligjet e drejtësisë shqiptare, pa prevalime të drejtësisë së vendeve fqinje apo dhe evropiane.
Nuk e imagjinojmë dot se çfarë do të bëjë Bejleri në Parlamentin Evropian, por të sigurtë jemi që Greqia ka dërguar një eurodeputet të akuzuar dhe dënuar për armëmbajtje pa leje, vrasje e fyerje të simboleve kombëtare shqiptare, një të paarsimuar, i cili maksimumi mund të rregullojë tubat e ujit në selinë e Parlamentit Evropian, ose mund të arrijë deri tek bravat.
Por nga ana tjetër, Mitsotakis mendon se mund të dërgojë në Evropë dhe frymën e përplasjes me qeverinë shqiptare, duke pasur Bejlerin në karrigën e eurodeputetit. Ndonëse nuk shpresohet të ‘thyhet’ BE dhe të pranojë veton greke për Shqipërinë, askush të mos mendojë se Bejleri do të na marrë erzin neve si shqiptarë. Ai është grek tashmë, zyrtarisht dhe mendërisht. Është punë dhe përgjegjësi e Greqisë dhe votuesit grek se kë dërgojnë në Parlamentin Evropian,
Për hir të së vërtetës Mitsotakis fitoi një eurodeputet më shumë për në PE, por ama humbi shumë në sytë e evropianëve, pasi ata tashmë panë dhe do të shohin akoma më shumë se deri ku shkon strategjia e fqinjit tonë jugor në kurriz të Shqipërisë dhe shqiptarëve, se si e ka ndërtuar Athina politikën rajonale e fqinjësore, deri më tani të kamfluar. Por me kandidimin e dërgimin e Bejlerit në Parlamentin Evropian, gjithë pisllëku i tërë këtyre viteve doli në dritë të diellit.
U ekspozuan rëndshëm. Ndoshta, të detyruar dhe nga qëndrimi i prerë i kryeministrit Rama që nuk pranoi të ndërhynte në punët e drejtësisë, kishte dhe mbështetjen e SHBA, BE dhe Britanisë në këtë qëndrim, ndërsa Athina zyrtare i kishte kundër. Ekspozimi grek doli dhe për vetë faktin se Shqipëria nuk është më ajo e para disa viteve kur gjithçka politike në këtë vend, madje dhe ekonomike e sociale, lëvizte sipas humorit të qeverisë greke të radhës.
Por dhe në Shqipëri kanë fituar me zgjedhjen e Bejlerit eurodeputet. Sidomos ata që nuk e kanë mbështetur kurrë. Por ndjehen mirë dhe në zenith dhe ata që e mbështesin, kanë interesa financiare me të, interesa politike apo të bashkuar me të për inatin të Edi Ramës. Siç ka qënë dhe kreu i Rithemelimit Berisha, i cili bashkë me Metën e kandiduan Bejlerin për kryetar bashkie në Himarë në emër të koalicionit të tyre “Bashkë Fitojmë”. Duke dalë jashtë ‘rrezes’ së qëndrimit të tyre të kahershëm politik, të akuzave kundër Belerit.
Një kandidim dhe për të lënë ‘litarin jashtë’ në marrëdhëniet me Greqinë e me qëllimin për të dëmtuar Ramën. E kandiduan, e mbështetën dhe e mbrojtën gjatë gjithë kohës që ka qënë e është në qeli. Madje merrnin në mbrojtje dhe Mitsotakisin dhe këdo që vinte nga Greqia, vetëm që të thonin një fjalë kundër Ramës. Si shqiptarë vendi kuptohet.
Megjithëse me gjysmë zëri, Berisha e ka uruar fitoren e Bejlerit. Pasi u zgjodh nga burgu. Nuk kuptohet nëse e ka uruar si ‘shok’ burgu apo si eurodeputet. Pasi Sali Berisha sërish në majë të ballkonit ka mbetur, nën arrest shtëpiak, për korrupsion pasiv. Me dosje të tjera të rënda që shtohen e shtohen përditë nën hetimin e SPAK, duke i dhënë vetes shpresë se një ditë mund të jetë dhe shok qelie me Bejlerin. S’ka fituar asgjë as Rithemelimi dhe aleati i tij Meta, kreu i Partisë së Lirisë. Sondazhet serioze po nxjerrin çdo ditë rrënimin politik të tyre.
Desh harruam! Sot Berisha fitoi vulën dhe logon e PD me vendim të Gjykatës së Apelit. Shënoi një fitore të madhe përballë Lulzim Bashës, të cilin e nxori pa parti. Megjithëse si me vulë si pa vulë, Berisha i ka mbyllur demokratët në rrugicën e pallatit të tij, ku është izoluar nën arrest shtëpiak. Nuk ngre as ul asnjë votë Berisha, thjeshtë dhe vetëm me vendimin e sotëm të Apelit, PD ‘vuloset’ zyrtarisht në ballkonin e shtëpisë së tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë. Duke ia lehtësuar PS rrugën dhe për mandate të tjera qeverisëse, sa të jetë Berisha zotërues i vulës së PD. Pasi Gjykata e Lartë pak gjasa ka të ndryshojë qëndrimin e Apelit, dhe nëse Basha ankimon brenda 5 ditësh.
E themi se Berisha po rezulton një humbje e madhe për PD, pavarësisht vulës, sepse është një ‘non grata’ funksional dhe i vënë para drejtësisë. Asnjë aleat nuk e takon, s’e mbështet. Dhe të vetmin aleat që kishte shpresë të fitonte në zgjedhjet evropiane, sikurse fitoi, Gorgia Melonin, e bëri armike, Vetëm pse nënshkroi marrëveshjen me kryeministrin Edi Rama për emigrantët. Dhe kur mendon se grupimi i vetëm politik, në qeverisje, ai i Melonit e uroi për zgjedhjen në krye të Rithemelimit, ndërsa më vonë e shpalli armike vetëm për hir të konjukturave të çastit e nevojës për të përdorur grupimin politik përballë drejtësisë, kuptohet se cili është qëllimi i vërtetë i Berishës. Bashkohet me humbësit, vetëm që të zgjasë sadopak agoninë e grupimit që drejton, për ta pasur si mburojë përballë drejtësisë.
Të njejtën gjë bëri dhe Albin Kurti, i cili në vend që të mbështeste fituesit, pra grupimin pro-evropianist, mbështeti ata që ishin kundër. I vinte për ‘osh’ Kurtit, i cili është vënë kundër të gjithë aleatëve. Të majtët radikalë humbën. Duke shtuar shanset për zgjatjen e qëndrimit të Kurtit në ‘karantinën’ në të cilën e kanë vënë vendet anëtare të BE, SHBA por dhe Britania. Të cilët kanë zgjedhur si partnere komunikimi presidenten Vjosa Osmani. Që po bën të që ka për detyrë të bëjë Kurti, të mbajë Kosovën në mesin e vendeve mike dhe krah atyre që e çliruan nga genocidi serb e po e mbajnë në këmbë si shtet. Pra dhe Kurti kontrapedal në Kosovë.
Eshtë luks i tepërt ky, si për Berishën, si për Kurtin, por dhe për Mitsotakis pavarësisht se pak na intereson ky i fundit, që për inat të Ramës, të lëvizin në kahjen e kundërt të rrjedhës. Rama, thjeshtë me qëndrimet e tij tregoi se di të orientohet, në favor të mirëqenies dhe prosperitetit të vendit që drejton. Por ama nxori ‘zbuluar’ dhe ata që bëjnë politikë në kurriz të qytetarëve të vet, u imponojnë atë që nuk duan. Thjeshtë dolën ‘zhveshur’. Tani mbetet në dorë të qytetarëve të shohin, të vendosin dhe të orientojnë fatet e tyre. Në Shqipëri e kanë zgjidhur vetë shqiptarët, Berisha s’votohet kurrë më për të qeverisur këtë vend. Të shohim si vendos Kosova, pasi fqinji ynë jugor e ka në dorë vetë të bëjë ç’të dojë. Madje të na ‘tërheqë’ andej dhe “Bejlerët” e tjerë, si eurodeputetë, si deputetë apo dhe përgjegjësa porti.