Elidjana Çelaj është emëruar përkohësisht drejtoreshë e përgjithshme e Tatimeve, pas lirimit nga detyra të ish drejtorit të përgjithshëm Ceno Klosi.
Në urdhrin e Ministrit të financave dhe Ekonomisë që ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare thuhet se znj. Elidjana Çelaj, me pozicion të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Hartimit të Programeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, është ngarkuar përkohësisht në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, me qëllim garantimin e funksionimit të veprimtarisë së përditshme administrative, deri në momentin e plotësimit të vakancës për këtë pozicion pune apo në një urdhër të dytë.
“Bazuar në pikën 2 të nenit 104, nenet 118 dhe 119, të ligjit nr. 8417/1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, germën “d”, të nenit 28, të ligjit nr. 9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, neneve 12, pika 2, 14, pika 4, si dhe 18,pika 3, të ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, nenit 43, të ligjit nr. 44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, si dhe për shkak të vakancës së krijuar të pozicionit të punës të drejtorit të përgjithshëm të Tatimeve,
URDHËROJ: 1. Ngarkimin e përkohshëm nëpërmjet zëvendësimit, të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Hartimit të Programeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, znj. Elidjana Çelaj në detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Tatimeve, me qëllim garantimin e funksionimit të veprimtarisë së përditshme administrative, deri në momentin e plotësimit të vakancës për këtë pozicion pune apo në një urdhër të dytë.
2. Çdo akt që bie në kundërshtim me këtë urdhër, shfuqizohet. 3. Ky urdhër nuk shoqërohet me efekte financiare. 4. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohet znj. Elidjana Çelaj dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. 5. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në fletore zyrtare”, thuhet në urdhrin e ministrit Mete.
Ndërsa ish drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) Ceno Klosi u liria nga kjo detyrë sipas vendimit të miratuar më 5 Qershor nga Këshilli i Ministrave
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 17, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave, vendosi lirimin nga detyra të drejtorit të përgjithshëm të tatimeve të z. Ceno klosi”.
Më një tjetër vendim të miratuar në mbledhjen e së njëjtës datë, Klosi u emërua zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ceno Klosi mbajti detyrën e drejtorit të përgjithshëm të DPT-së, nga muaji tetor i vitit 2021 deri në fillim qershor 2024, pasi zëvendësoi Delina Ibrahimaj që në atë kohë u be Ministre e Financave dhe Ekonomisë. /Monitor.al