Për të dytën herë prokuroria e Tiranës pritet ti drejtohet me letërporosi Sllovenisë për të marrë informacion në lidhje me pronarët e një automjeti që u përdor për të vëzhguar Brilant Martinajn dhe dy miqtë e tij Dikler Vata dhe Besmir Hoxha, para se të ekzekutoheshin te mbikalimi i Fushë Krujës më 17 korrik 2022.
Pas marrjes së përgjigjes së letërporosisë së mëparshme të dërguar në këtë shtet, por edhe të një tjetre në Kosovë, është parë e nevojshme, qe të kërkohen të dhëna shtese në Slloveni që kanë të bëjnë pikërisht me automjetin tip Volkswagen Polo, e cila është fiksuar nga kamerat e sigurisë dhe personat brenda këtij automjeti dyshohet të kenë ndihmuar me informacion skuadrën e vrasësve, për lëvizjet e shënjestrave.
Automjeti, është gjetur i djegur më pas dhe janë gjetur disa të dhëna që e lidhin me Slloveninë. Në Kosovë për të njëjtin automjet është tentuar marrja e dëshmisë së një personi që e ka pasur përkohësisht në pronësi, por ai nuk ka qenë bashkëpunues me autoritetet.
Identifikimi i pronarëve dhe mënyrës sesi makina ka hyrë në Shqipëri mund të hapë një pistë të mirë për hetuesit, për të rënë në gjurmët e autorëve të dyshuar të masakrës.
Brilant Martinaj u qëllua për vdekje bashkë me dy miqtë tek mbikalimi i Fushës Krujës. Pas masakrës u zhduk pa gjurmë kushëriri i tij, Ervis Martinaj, i njohur si mbreti i kumarit.
Të dyja ngjarjet por edhe atentate të tjera ku viktima kanë qenë njerëzit e Ervis Martinajn, janë pa autorë. Motivi i ngjarjeve është larja e hesapeve mes grupeve kriminale që u përplasën për lojërat e fatit.