Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale ka njoftuar se sot në ora 20:00 në “Rai 3 Report”, do të flasë të vërtetën e tij mbi reportazhin e publikuar pak javë më parë në Rai 3.
““RAI3 Report” bëri para disa javësh një reportazh ku përzieu në të njëjtin kazan prodhimet e sherrit politik italian mbi marrëveshjen Itali-Shqipëri për qendrën e pritjes së tremijë emigrantëve në Shëngjin, me llumin e eksportuar nga kanalet e ujerave të zeza politike e mediatike të Tiranës, duke cenuar imazhin e Shqipërisë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Dihet “lufta” që pasoi e që u bë temë e mediave italiane pas kundërvënies sime ndaj asaj llumnaje”, shkruan Rama.
“Drejtori i programit “Report” iu përgjigj pozitivisht ftesës sime publike drejtuar atij personalisht, për të ballafaquar faktet në sytë e audiencës së RAI3. Ramë dakord, që përveç copave të intervistës së bërë në zyrën time, të cilat ata do t’i marrin e do t’i presin dhe qepin sipas skenarit të tyre (me qëllimin lehtësisht të lexueshëm të vazhdimit të përzierjes në të njëjtin kazan të sherrnajës politike italiane me llumin e eksportuar nga Tirana) intervista e pa censuruar do të publikohet e plotë njëkohësisht në rrjetet sociale të Report, si edhe këtu në këtë faqe.
Sonte në mbrëmje shikoni, dëgjoni e gjykoni vetë, unë s’po bëj asnjë koment. Nesër flasim, këtu jemi prapë”, vijon Rama.
“Kujdes e kam fjalën për Giorgio-n, gazetarin në foto, jo për Giorgia-n, shënjestrën kryesore të “RAI3 Report””, përfundon Rama postimin e tij.