Cilat janë plazhet më të bukura në Shqipëri? Në fakt, vitet e fundit Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet kryesore turistike evropiane falë peizazheve, plazheve të mrekullueshme dhe çmimeve të lira, shkruan Valentina Todaro në një artikull të botuar në të përditshmen italiane tag.24 .
Vendi ka pamje nga Mesdheu dhe kufizohet si nga Joni ashtu edhe nga Adriatiku dhe mbi të gjitha është shumë afër Italisë, gjë që e bën këtë shtet një zgjedhje të vlefshme për pushimet e ardhshme të turistëve italianë.
Më poshtë kemi renditur disa nga plazhet më të bukura në të gjithë Shqipërinë nga Veriu në Jug.
Cilat janë plazhet më të bukura në Shqipëri: mrekullitë e veriut
Plazhet në pjesën veriore të Shqipërisë, të cilat kryesisht kanë pamje nga deti Adriatik, priren të jenë me rërë dhe me ujëra të cekët. Prandaj, zona është e përkryer për pushime me familjen dhe fëmijët.
Përveç detit, ka edhe laguna dhe ekosisteme natyrore dhe për këtë zona është shumë e dashur edhe nga alpinistët dhe adhururesit e gjelbërimit.
Një nga plazhet më të njohura në veri të Shqipërisë është padyshim Plazhi i Velipojës i vendosur në pikën më veriore të vendit jo shumë larg qytetit të Shkodrës.
Ky, është në fakt një nga destinacionet e preferuara për adhuruesit e detit.
Plazhi shtrihet në një sipërfaqe rreth 14 kilometra në bregun e Adriatikut dhe i gjithi karakterizohet nga rëra shumë e imët dhe e pasur me jod.
Ky është gjithashtu vendi i përsosur për ata që duan të praktikojnë sporte ujore si kanoe apo kajak.
Gjithashtu, në zonën veriore të vendit ndidhet Plazhi i Shëngjinit, i cili është gjithashtu me rërë dhe i përshtatshëm për pushime me familjen.
Këtu do të gjeni diell të paktën 300 ditë në vit dhe një kuzhinë tipike vendase të shkëlqyer.
Në veri të Shëngjinit, përballë kodrave të Rencit, ndodhet plazhi i mrekullueshëm i quajtur “Rana e Hedhun”.
Këtu mund të gjeni hapësira rëre të mbrojtura mirë nga erërat tipike të zonës.
Nëse e doni detin e pastër dhe rërën e imët, plazhi ideal për ju me siguri do të jetë ai i Gjirit të Lalzit në veri të Durrësit.
Ky në fakt konsiderohet si një nga plazhet më tërheqës në bregdetin shqiptar të Adriatikut, i rrethuar nga një pyll i dendur me pisha, dhe është vendi i duhur për ata që duan të pushojnë buzë detit.
Plazhi është vetëm 25 kilometra nga kryeqyteti, Tirana dhe është lehtësisht i aksesueshëm me transport publik.
Së fundi, një nga plazhet e fundit në Shqipërinë e Veriut për t’u vizituar është Vlora. Është porti i dytë më i madh në vend dhe një nga qendrat e turizmit shqiptar.
Plazhi është i pajisur dhe ofron shumë lehtësira turistike, sidomos për shkak të vendndodhjes së tij, pasi ndodhet mes plazheve të gjirit të Vlorës dhe portit të Orikumit.
Plazhet e Shqipërisë së Jugut
Bregdeti Jon i Shqipërisë është gjithashtu plot me peizazhe magjepsëse dhe plazhe që të lënë pa frymë.
Në këtë pjesë të vendit mund të gjeni male me pamje nga deti, natyrë të pacënuar dhe ujë të pastër kristal.
Kjo është arsyeja pse prej disa vitesh kjo zonë është bërë më turistike në vend.
Plazhi i parë në pjesën jugore të Shqipërisë që duhet vizituar është Ksamili, i riemërtuar si Perla e Jonit.
Ky plazh i mrekullueshëm qëndron përballë ishullit të Korfuzit, disa kilometra larg kufirit me Greqinë.
Nga kjo pikë është vërtet e lehtë për të arritur në Sarandë, e konsideruar si shumë e ngjashme me Rimini, në Itali për të kaluar mbrëmjet me argëtim dhe muzikë.
Aty ndodhet edhe peizazhi i mrekullueshëm i Karaburunit, një plazh mahnitës që ofron gjithmonë kënde të reja të fshehura falë limaneve të tij të shumtë.
Ai ndodhet pranë bregut që rrethon Vlorën dhe është i njohur për rërën e bardhë me guralecë dhe ujin e pastër kristal të detit.
Nëse jeni në pjesën e detit Jon, mos humbisni Porto Palermon, një gadishull i vogël në krye të një fortese, të ndërtuar nga Ali Pasha i Tepelenës gjatë shekullit të XIX.
Ky plazh është vendi i përsosur për ata që e duan natyrën e egër dhe të pacënuar.
Megjithatë, nëse jeni në kërkim të jetës së natës dhe plazheve të mbushura me njerëz, vizitoni Plazhin e Dhërmiut, një nga më të famshmit në vend.
Këtu do të gjeni shumë vendas dhe shumë turistë të tërhequr nga ujërat e tij të mrekullueshëm dhe të pastra blu.
Së fundi, është Plazhi i Borshit, më i gjati në bregdetin shqiptar të Jonit.
Në fakt, ky plazh shtrihet në 3 kilometra vijë bregdetare dhe është vendi ideal për ata që duan të relaksohen.
Plazhi është i rrethuar nga një natyrë e përbërë kryesisht nga pemë ulliri dhe agrume.
Turistët që duan të bëjnë ecje mund të ndjekin rrugën përgjatë bregdetit, ndërsa ata që duan të zhyten në kulturën dhe historinë vendase mund të vizitojnë fshatin që ndodhet jo shumë larg detit.