Në një moment ku marrëdhëniet me Italinë duken vaj, për shkak të raporteve të mira Rama-Meloni, sporti na vë përballë sonte në ndeshjen e parë të Europianit në Gjermani, ku Shqipëria do të përballet me Italinë.
Kryeministri shqiptar që njihet si tifoz i Italisë, ka ndeshjen e skuadrës së zemrës, kuqezinjve. Do të jetë në stadium sonte.
Edi Rama ka dhënë disa intervista për mediat italiane si La Stampa, TuttoSport dhe Corriere Dello Sport.
Komentet batutat dhe përgjigjet e Ramës janë në artikujt që i kemi bashkëngjitur me foto.
Kur e pyesin për ndeshjen, thotë që nga 10 milionë shqiptarë që iu rreh zemra sonte për skuadrën kuqezi, ai do të jetë tek ajo pakicë që nuk e bën trajnerin.
Gazetari e pyet: Vendoseni veten në vendin e trajnerit Sylvinho, çfarë taktikash do të përdorje me azzurrit?
“Në mesin e 10 milionë shqiptarëve, unë i përkas asaj pakice shumë të vogël që nuk bën trajnerin”, thotë Rama.
Cili është lojtari shqiptar nga i cili duhet të kemi më shumë frikë si italianë?
“Publiku”, përgjigjet Rama.
Kurse pyetjes: A ke pasur rastin të flasësh për ndeshjen me homologen Giorgia Meloni?
Rama i përgjigjet: “Jo, ajo duhej të merrej me G7: Ai është një ekip në vështirësi serioze aktualisht”.
Kryeministri u pyet edhe për Gjermaninë dhe nuk i ka lënë pa pickuar.
“Nuk e di kush është skuadra më e fortë, por për një gjë unë jam i sigurt si kurrë më parë. Jo, nuk dua që Gjermania të fitojë, me luftanijen e tij të disiplinuar dhe precize… do të jepja gjithçka për ta parë edhe një herë të mposhtur në shtëpi nga Italia, si në vitin 2006”, tha Rama kur u pyet se cila është skuadra më e fortë sipas tij në këtë Europian.
Disa momente pikante kishte edhe intervista në La Stampa.
Pyetjes: Lojtari apo trajneri që ndryshoi historinë e Shqipërisë?
Rama iu përgjigj: “Nuk ka një lojtar që e ka ndryshuar historinë e futbollit shqiptar, por Igli Tare ishte shqiptari i parë në Serinë A dhe si trajner pasuroi një Lacio që shpenzoi pak dhe fitoi shumë më tepër, si në aspektin sportive, ashtu edhe ekonomikisht. Sa për trajnerin, pa dyshim De Biasi, që na dërgoi për herë të parë në Evropian”.
Rama e quan këtë ndeshje si dasmën e fëmijës së vetëm teksa thotë:
“Nuk është vetëm Tirana që pret. Ky Europian është si dasma e fëmijës së vetëm. Në kombëtare bashkohet me Shqipërinë edhe populli shqiptar i Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe të gjitha pjesët e botës”. (Tiranapost.al)