Kjo e premte e Euro 2024 nisi me një duel magjik në stadiumin e Dusseldorfit. Ukraina përmbysi 1-2 Sllovakinë në ndeshjen e dytë të Grupit E, duke bërë “lëmsh” renditjen.
Dueli nisi mirë për sllovakët, që kaluan në epërsi pas vetëm 17 minutave lojë me Schranz. Krosimi i Haraslin u shfrytëzua mirë nga shoku i tij që me kokë mposhti Lunin.
Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, teksa “magjia” e Ukrainës u pa në fraksonin e dytë. Shaparenko në minutën e 54 vendosi ekuilibrat, ndërsa duhej një supergol i Yaremchuk në të 80 minutë që ukrainasit të merrnin tri pikët e para në këtë event.
Tanimë Grupi E është bërë interesant, me Rumaninë, Ukrainën dhe Sllovakinë që kanë nga tri pikë. Ndërkohë Belgjika me zero pikë luan kundër Rumanisë, duel që vendos shumë për fatet e skuadrave.
Po sot do luhen dy ndeshjet e dyta të Grupit D. Në 18:00 Polonia luan me Austrinë, ndërkohë që në 21:00 e gjithë vëmendja do jetë në sfidën Holandë – Francë.