Në takimin e zhvilluar nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri mbi aftësitë e qenve të policisë në zbulimin e narkotikëve dhe armëve të zjarrit, ministri Taulant Balla tha se do të kryhen kudo kontrolle për të gjetur armët pa leje.
Sipas Ballës, policia do të përdorë qentë e instruktuar për të gjetur vendet dhe personat që mbajnë armë pa leje.
Balla vuri në dukje se ky është një aksion që kërkon të parandalojë ngjarjet kriminale, pasi sipas tij, shumica e tyre ndodhin për shkak të përdorimit të armëve pa leje.
“Qëllimi i takimit të sotëm është rritja e kapaciteteve dhe aftësive K9 të Policisë së Shtetit. Një ndër problemet delikate të forcave të policisë mbetet lufta dhe goditja e përditshme e fenomenit të armëmbajtjes pa leje dhe trafikut të armëve.
Na duhet të zhvillojmë të gjitha kapacitetet tona, së pari ato gjurmuese, edhe përmes përdorimit të qenve të shkojmë të kontrollojmë kudo për të gjetur armët pa leje të cilat në të gjitha rastet rezultojnë të jenë një nga arsyet e ngjarjeve kriminale”, u shpreh Balla.
Ai theksoi gjithashtu se policia e shtetit ka rritur edhe masat e sigurisë dhe kapacitetet e ekipeve të shpëtimit, teksa iu referua shpëtimit të një turisteje franceze ditën e djeshme.
“Kemi pasur dje një operacion të vështirë për gjetjen e një turisteje franceze, ku gjithçka ka shkuar mirë. Me këtë rritje të numrit të madh të turistëve na duhet që të përforcojmë në të gjitha format e kapaciteteve tona shërbimet e shpëtimit. U ndala pak për të folur për këtë pjesë pa harruar se në vëmendjen tonë janë dhe duhet të jenë edhe më shumë ekspertët policorë, instruktorët, ata që në fakt janë mësuesit dhe që i ofrojnë policisë këto asete të rralla. Nëse nuk do të ishin instruktorët thjesht do të ishin katër putrash”, tha Balla.